Rruga kembesore per ne Kalane e Beratit rehabilitohet pas 36 vitesh, nderhyrjet qe po kryhen
Rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit “Mihal Komneno” po rehabilitohet pas 36 vitesh. Ndërhyrja është pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 milionë Euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore.
Punimet kanë filluar në shkurt dhe deri tani është realizuar 45 për qind e volumit. Për herë të parë po ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura dhe po vendosen linjat e elektro-telefonisë. Kalldrëmi i ri është parashikuar të shtrohet me gur të zi me origjinë nga rrethinat e Beratit, i cili do ta rikthejë rrugën në origjinën e saj të hershme dhe do e unifikojë me kalanë, duke i dhënë një dimension të ri kulturor dhe historik. “Mihal Komneno” do të shërbejë vetëm si rrugë këmbësore për në kala.
Qarkullimi i mjeteve drejt kalasë do të kryhet nëpërmjet rrugës “Muzak Topia për të cilën fillon rikonstruksion gjatë këtij viti. Pjesë e paketës së investimeve për Beratin është pika panoramike Tabja dhe sheshi përpara saj, që do të rehabilitohet tërësisht. Pika panoramike do të pajiset me mjete vrojtimi për t’u mundësuar turistëve e vizitorët të shijojnë panoramën e mrekullueshme të luginës së Osumit./Scan