
Qeveria propozon qe cmimi i energjise te mos jete me i larte se 9.9 leke/kWh
Kërkesave për rritje të çmimit të energjisë, qeveria iu është përgjigjur se nuk do të lejojë një rritje të saj mbi mesataren e çmimit aktual. Kjo u bë e ditur dje nga zëvendësministri i Energjisë, Ilir Betja, në diskutimin e hapur mes Entit Rregullator të Energjisë dhe palëve të interesit. Subjektet që kanë kërkuar rritje te çmimit të energjisë për konsumatorët janë OSHEE, KESH dhe OST.
Qeveria kërkon nga ERE që çmimi i energjisë pas ristrukturimit të mos jetë më i lartë se çmimi mesatar me të cilin e paguajnë energjinë sot konsumatorët familjare. Pra, fjala është për ngritje dhe ulje për subjekte të ndryshëm të klientelës, duke e lënë të palevizur rezultanten e tyre, në rreth 9.9 lekë/kWh.
Në dëgjesën publike të ditës së djeshme, arsyetimi i parë për rritjen e çmimit ishte shlyerja e borxheve që këto institucione kanë si ndaj njëra- tjetrës ashtu edhe ndaj qeverisë. Borxhet e pambledhura të kompanisë OSH EE, dikur CEZ, ndaj konsumatorëve arrijnë vlerën e 71 miliardë lekë, ose rreth 600 milionë eurove në fund të 2013.
Në këtë shumë, pjesën më të madhe të borxhit e zënë familjarët me shumë se 45 miliardë lekë. Kjo shumë llogaritet të jetë krijuar pas vitit 2007. Ndërsa, Banka Botërore, si konsulente e qeverisë për energjinë, i ka vlerësuar këto borxhe gati pa shpresë arkëtimi, ndërkohë që një pjesë e këtij detyrimi është reflektuar në shpenzime. Kosto e krijuar nga borxhet është përballuar nga subvensionet buxhetore, të cilat janë marrë nga taksat e shqiptarëve. Çka do të thotë së në mënyrë të tërthortë këto detyrime janë shlyer.
Operatori i Shpërndarjes kërkoi gjithashtu heqjen e të gjitha fashave të çmimeve, përfshi fashën e parë prej 300 kwh për konsumatorët familjarë. Rritje të çmimit të energjisë kërkoi edhe Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare, në funksionin e Furnizuesit Publik me shumicë dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Zëvendësministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, paraqiti në dëgjesën publike qëndrimet e qeverisë, duke mbështetur operatorët për rritjen e çmimeve, në masën e mjaftueshme për të përballuar investimet e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e furnizimit. Enti Rregullator i Energjisë pritet të shprehet për kërkesat e operatorëve të sektorit të energjisë më vonë gjatë muajit dhjetor, por disa vendime janë paralajmëruar tashmë nga qeveria, siç është heqja e fashës mbrojtëse prej 300 kwh.
Detyrim nga qeveria
Qeveria i ka vënë qytetarët shqiptarë pwrpara detyrimit për të paguar borxhet e akumuluara të energjisë ose në rast të kundërt ndaj tyre do të pritet energjia elektrike dhe do të merret masa arrest me burg nëse tentohen të lidhen në mënyrë të paligjshme në rrjet. Në kushtet aktuale konsumatorët e kanë të pamundur të gjenerojnë një shumë shtesë 600 milionë euro kundrejt faturave korrente të energjisë. Kjo për shkak se, sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, rreth 30 për qind e familjeve shqiptare tashmë kanë edhe borxhe të tjera. Për mw tepër 50 për qind e këtyre detyrimeve janë marrë ne tregun informal kryesisht lista ushqimesh në dyqane. Operatorët e sektorit të energjisë elektrike paraqitën dje publikisht kërkesat e tyre për çmimet që do të aplikohen duke filluar nga viti 2015. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kërkoi që çmimi i ri shitjes me pakicë të jetë mesatarisht 12.03 lekë, rreth 22 për qind më shumë nga çmimi mesatar aktual.
OSHEE: Rritja e çmimit, nga keqadministrimi
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), është shprehur se kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë vjen si rezultat i borxheve të prapambetura dhe keqadministrimit çka ka sjellë të ardhura në mungesë në vlerën 62 miliardë lekë. Po ashtu edhe rrjeti është tërësisht i rrënuar, sipas OSHEE- së. Megjithatë, sipas operatorit të shpërndarjes, humbjet në rrjet kanë ardhur duke u ulur ndjeshëm këtë vit, nisur edhe nga aksioni i energjisë, për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Përsa i përket heqjes së fashës prej 300 kwh, OSHEE ka nënvizuar se ky është një vendim që i përket ERE-s dhe qeverisë shqiptare.
“Ne jemi në parametrat gati perfektë të planit tonë, sipas programit të kompanisë. Krahasuar me vitin 2013, humbjet në rrjet kanë rënë ndjeshëm. E njëjta situatë është nga arkëtimet, madje shumë më e plotësuar. Mungesave e investimeve ka çuar në uljen e aseteve të kompanisë. Detyrimet afatshkurtra sot janë 91 miliardë lekë. Gjatë aplikimit kemi pasur kufizime. Gjendja e keqe ekonomike zhduk parametrat e tregut mbi të cilin është bazuar logjika e tregut. Në 3 vitet e fundit, nga të ardhurat e munguara janë 62 miliardë lekë, jo si pasojë e tarifës së ulët por e keqadministrimit. Informacioni i transmetuar nga CEZ ka qenë i mangët. Rrjeti është tejet i rrënuar për të garantuar një transmetim serioz. Mesatarisht tarifa nga keqadministrimi është 36 për qind më e ulët. 505 animime në muaj për fatura aforfe. Sa i përket heqjes së fashës është ERE dhe qeveria që vendosin.”- tha në prezantimin e saj OSHEE.
Kërkohet rritja e çmimit, nuk pasqyrohen investimet
Të tre operatorët kanë shpjeguar se rritja e çmimit të energjisë kërkohet për të mbuluar borxhet si dhe të mbulohen investimet që presin të bëjnë në vitin 2015. Ajo çfarë u vu re në të gjithë debatin prej rreth 4 orësh, nuk u pasqyrua se ku do të investohen paratë që kërkohen. Madje, ajo çfarë ishte edhe më e habitshme ishte mungesa e një transparence të plotë, se ku kanë qenë humbjet më të mëdha. Cili sektor është më shumë problematik dhe se si do të shpërndahen investimet për secilin sektor. E
nti Rregullator i Energjisë pritet të marrë vendimin rreth datës 10 dhjetor. Vendimi i tyre do të bëhet publik në media. Kjo u deklarua në fund të takimit nga kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti. Sipas deklarimeve nga qeveria por edhe nga burime brenda ERE-s, çmimi i energjisë nuk do të jetë më shumë se 10 lekë/kwh. Heqja e fashës ishte një tjetër pikë debati e cila u kundërshtua me forcë nga përfaqësues të konsumatorëve. Megjitatë çmimi i ri do të vazhdojë të tatohet në masën 20 për qind TVSH.
Kërkesa e rritjes, shkak borxhet, keqadministrimi ndër vite dhe sistemi i amortizuar
Nga ana e saj Operatori i Sistemit të Transmetimit në prezantimin e bërë është shprehur se shkak për kërkesën e rritjes së çmimit të energjisë janë borxhet e prapambetura, keqadministrimi i kësaj kompanie si dhe nevojën për zbatimin e projekteve për përmirësimin e sistemit të transmetimit, si rezultat i amortizimit të tij. “Aplikimi nga ana jonë është bërë duke patur parasysh garantimin e furnizimit ë vazhdueshëm me energji elektrike. Ajo që jemi duke bërë është zgjerimi i mëtejshëm i rrjetit 400 kwh, për të bërë lidhjen më të mirë të interkonjuksionit me vendet e rajonit. Llogaritja e tarifës bazohet mbi metodologjinë e bërë publike. Kërkesa për të ardhura bëhet nga shpenzime operative dhe shpenzime kapitale. Për vitin 2015 pritet të kapitalizohen një sërë projektesh nga OST. Vlera e projekteve është relativisht më e madhe krahasuar me investimet tona modeste. Fatmirësisht kemi patur mbështetje nga institucionet veçanërisht në lidhjen e interkonjuksionit. Totali i projekteve është 9.2 milionë lekë. Sasia e energjisë për vitin 2015 është parashikuar 7337 gwh. Nga ajo çka pritej ka sjellë pasoja negative nga OST, konkretisht detyrime ndaj Ministrisë së Financave, detyrime ndaj KESH për humbje të energjisë. Tarifa e transmetimit ka një vlerë modeste krahasuar me vendet e rajonit dhe për më tepër ne jemi në një stad ku OST duhet të plotësojë kriteret teknike të parashikuara nga BE. Ne jemi ende në fazën që kemi nevojë për fuqizime.” tha OST në prezantim të kërkesës për rritje të çmimit të energjisë.
Më të lexuarat








