Nga rrenimi drejt ringritjes/Si po e ndryshon 'Albchrome' Minieren e Bulqizes
Albchrome, ndryshe nga koncesionarët e mëparshëm, i kushton një vëmendje të jashtëzakonshme përgjegjësisë sociale dhe është iniciatori e mbështetësi i vetëm i rihapjes së shkollës profesionale të Bulqizës, ku këtë muaj diplomohen gjimnazistët e parë.
Historia e minierës së kromit në Bulqizë ka njohur uljet dhe ngritjet e saj që prej themelimit të këtij gjigandi nevralgjik të ekonomisë shqiptare. Qysh nga prodhimi i dikurshëm i centralizuar dhe i kontrolluar nga shteti e deri te degradimi total i kësaj industrie, të keqmenaxhuar dhe të shfytëzuar barbarisht dhe pa kriter gjatë viteve të tranzicionit shqiptar, kur të huajt u panë si shpëtimi i vetëm, por që në fakt e përdorën pa shpirt dhe në mënyrë cinike pasurinë kombëtare të shqiptarëve, do të duhej që të vinte viti 2012, që falë një grupi shqiptar investimesh të niste kthesa e madhe që do t’ia ndryshonte përgjithnjë faqen minierës.
Nga diktatura në tranzicion, degradimi i minierës dhe dhënia e koncesionit AlbChrome
Miniera e kromit në Bulqizë e ka filluar veprimtarinë e saj në vitin e largët 1948, tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kur Shqipëria ishte e raskapitur dhe rrënuar ekonomikisht nga lufta që gjunjëzoi gjithë Evropën. Kromi u kthye në burimin kryesor të eksportit për shtetin komunist që e udhëhoqi vendin deri në vitin ’91, duke u sjellë arkave të shtetit qindra milionë dollarë çdo vit. Në vitet 1970-1990, Shqipëria ka qenë prodhuesi i parë i kromit në Europë dhe renditej e dyta ne botë në eksportin dhe prodhimin. Sot, sasia e kromit që eksporton Shqipëria, nuk përbën më shumë se 1 përqind të sasisë globale të kromit dhe ecuria e tij, varet drejtpërdrejt nga tregjet botërore dhe nevoja e tyre për këtë lëndë të parë.
Nisja e kthesës së madhe dhe garantimi i jetëgjatësisë së minierës, 41.2 mln USD investime
Por pas 26 vitesh në gjendje të mjerueshme dhe e kthyer në një plagë pa shërim të ekonomisë së vendit, me marrjen e koncesionit nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017, Grupi Balfin ka investuar përmes AlbChrome plot 41,2 milionë USD, nga të cilat 28,5 milionë në minierën e Kromit në Bulqize, 8,6 milionë në uzinën e Ferrokromit në Burrel dhe 4 milionë në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan (të gjitha lidhen me minierën e kromit, uzinat shërbejnë për shkrirjen e tij). Investimet po vijojnë dhe është parashikuar që deri në vitin 2021 ato të prekin kuotën e 60 milionë dollarëve, çka e tejkalon ndjeshëm atë që ishte parashikuar nga marrëveshja koncesionare. Vetëm me invesitmet në pusin nr. 9, ku po investohet me shkallën më të lartë të mekanizimit, bëhet e mundur rritja e jetegjatesisë së minieres me të paktën 30 vjet, ndërkohë që të gjithë subjektet e tjera që nuk i konsiderojnë humbjet teknologjike të shfrytëzimit, parashikohet ta përfundojnë aktivitetin e tyre për një periudhë jo më shumë se 5 vjeçare./Shqiptarja.com