
Strehimi/Si do t’ia paguaje shteti qirane familjeve qe nuk kane te ardhura
Sa do jetë masa e qirasë dhe kategoritë që do të përfitojnë nga ligji i ri për strehimin, i miratuar tashmë nga Parlamenti, parashikon edhe pagesën e qirasë për disa kategori, apo për fëmiljet që nuk kanë të ardhura.
Ligji i ri për strehimin, i miratuar tashmë nga Parlamenti, parashikon edhe pagesën e qirasë për disa kategori, apo për fëmiljet që nuk kanë të ardhura. Por si do lidhen kontratat e qirasë? Kontrata e qirasë lidhet ndërmjet pronarit ose përfaqësuesit të autorizuar prej tij dhe, sipas rastit, individit përfitues ose, në rastin e familjeve, prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve, në bazë të dispozitave të Kodit Civil. Kontrata e qirasë lidhet me të drejtë ripërtëritje çdo vit, bazuar në dokumentimin zyrtar që vërteton të ardhurat e çdo individi të familjes. Vertetimi i të ardhurave, sipas rastit, merret nga qendra e punës ose personi juridik apo fizik që e ka punësuar, ose zyra përkatëse e ndihmës sociale pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në rastin e individëve pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta, shpenzimet për lidhjen e kontratës së qirasë përballohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Nëse familja siguron një banesë tjetër, kryefamiljari detyrohet të bëjë njoftimin e menjëhershëm pranë entit menaxhues, nga i cili ka përfituar banesën me kontratë qiraje sociale.
Afati i njoftimit për lirimin e banesës përcaktohet në dispozitat e kontratës. Me lidhjen e kontratës, qiramarrësi është i detyruar të paguajë një paradhënie, në formë garancie, në vlerën e një qiraje mujore. Vlera e garancisë zbritet nga qiraja e muajit të fundit të afatit të qirasë, përveç rasteve kur ajo duhet të përdoret për riparimet e nevojshme të banesës, të diktuara nga dëmtimi i saj nga qiramarrësi ose përveç rasteve kur palët në kontratën e qirasë kanë parashikuar ndryshe. Për familjet pa të ardhura ose me të ardhura shumë të ulëta, paradhënia paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, e cila kryen subvencionimin e qirasë për këto kategori.
Përcaktimi i qirasë
Kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ose kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi llogaritet nga struktura përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, brenda kufirit të përcaktuar. Masa e qirasë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas metodikës për llogaritjen, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 3 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga institucionet shtetërore, për banesat e reja, ose 3 për qind e vlerës së banesës së blerë në treg. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre.
Masa e qirasë, e shprehur në lekë për metër katror, duhet të mbulojë kostot për administrim, mirëmbajtje, kosto operacionale dhe kosto të investimit ose të shlyerjes së borxhit. Niveli i qirasë sociale nuk duhet të jetë më i lartë se niveli mesatar i qirasë në tregun e lirë. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen me hollësi të drejtat dhe detyrat e qiramarrësit dhe të entit menaxhues.
Subvencioni i qirasë
Subvencionimi i qirasë si rregull kryhet nga të ardhurat e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Subvencionimi i qirasë mund të bëhet edhe nga pushteti qendror. Aplikimi i individit/familjes për të përfituar nga subvencionimi i qirasë do të bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve për subvencionimin e qirasë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ndërtohet banesa. Kur subvencionimi i qirasë financohet pjesërisht ose plotësisht nga qeverisja qendrore, lista e përfituesve, e miratuar nga bashkia, i përcillet ministrisë përgjegjëse për strehimin, e shoqëruar me kërkesën për financim.
Përparësi në subvencionimin e qirasë sipas sistemit të pikëzimit kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e mëposhtme: a) individët me statusin e jetimit. b) personat me aftësi të kufizuara. c) të moshuarit. ç) invalidët e punës. d) familjet e policëve të rënë në detyrë. dh) emigrantët e rikthyer. e) punëtori emigrant. ë) azilkërkuesit. f) familjet e komunitetit rom. g) familjet e komunitetit egjiptian. gj) Viktimat e dhunës në familje. h) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit. i) prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë. j) individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura. k) të miturit, 14–18 vjeç, dhe të rinjtë, 18–21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri. Vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara. familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private.
Pocedura
Brenda një muaji nga data e miratimit nga komisioni i strehimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore të listës së individëve/familjeve që përfitojnë nga subvencionimi i qirasë së banesave në treg të lirë, subjekti përfitues depoziton pranë komisionit të strehimit kontratat e qirasë të lidhura ndërmjet tij dhe pronarit social. Në rastet kur subjekti përfitues nuk e depoziton kontratën brenda afatit 1-mujor, komisioni shtyn afatin me 30 ditë. Nëse edhe pas këtij afati shtesë subjekti përfitues nuk depoziton kontratën, ai humbet të drejtën për të vijuar procedurën. Subjekti ka të drejtë të aplikojë përsëri në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë ligj.
Pas depozitimit të kontratave të qirave të subjekteve përfituese, komisioni i strehimit i përcjell këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore listën dhe kontratat e qirasë, me qëllim që ai të vendosë miratimin e vlerave konkrete të subvencionit të qirasë për çdo përfitues. Mbledhja e këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore zhvillohet jo më vonë se një muaj nga data kur mbërrijnë listat e miratuara nga komisioni i strehimit. Subvencioni i qirasë do t’i jepet përfituesit që nga data e lidhjes së kontratës, pavarësisht nga data e miratimit të vlerës së subvencionit për përfituesin konkret. Subvencioni i qirasë rinovohet çdo vit, sipas kontratës së qirasë dhe të ardhurave të deklaruara të familjes./Shqiptarja.com
Më të lexuarat








