Ulet serish cmimi i naftes ne vend, renia vjetore 8 per qind
Çmimi i naftës ka shënuar një tjetër rënie me 2-3 lekë për litër fundjavën që sapo lamë pas, duke zgjeruar tkurrjen vjetore dhe duke shënuar të dytën javë radhazi me ulje.
Fillimisht i ulën çmimet, Elda dhe IT Oil, ndërsa të dielën këtë lëvizje e ndoqi dhe Kastrati, operatori më i madh i karburanteve në vend. Në pikat e tregtimit të Kastratit, një litër naftë tregtohet që të dielën me 172 lekë për litër, nga 175 që ishte më parë. Benzina ka zbritur nga 177 lekë, në 175 lekë. Të njëjtat çmime ka vendosur edhe Elda. Më i lirë është IT Oil, që e tregton naftën me 168 lekë për litër dhe benzinën me 170 lekë. Edhe në marka të tjera të tregtimit me pakicë mund të gjesh tashme naftë më të lirë se 170 lekë, për herë të parë në gati dy vjet. Në krahasim me fillimin e vitit, çmimet e naftës dhe benzinës kanë rënë mesatarisht me 14-15 lekë për litër, apo rreth 8%. Sërish kjo tkurrje është më e ulët se rënia e çmimeve mesatare të tregtimit me pakicë në vende të tjera të Europës./Monitor