Secondary Adv

Risite e draft-ligjit te ri te sigurimeve, cfare ndryshon per qytetaret dhe kompanite

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar draftin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por cilat janë risitë e tij për kompanitë, institucionet dhe qytetarët? 

 

Më i rëndësishmi është sistemi bonus-malus, i cili synon të orientojë primin që paguan çdo qytetar sipas profilit të riskut. Kompanitë kufizohen tashmë në lojën e tyre me çmimet. Ato mund të ndryshohen deri në dy herë në vit. Kur mjeti ndryshon pronësinë, kontrata e sigurimit nuk është e transferueshme, duhet ta bëni nga e para. Ndarja e përgjegjësive të Byrosë së Sigurimit dhe krijimi i Entit të Fondit të Kompensimit. rej të paktën tre vjetësh ka përpjekje për të ndryshuar ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por sa herë drafti ka dalë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të marrë mendimin e Ministrisë së Financave, është kthyer pas për rishikim. AMF deklaroi pak ditë më parë se një draft i ri i është dërguar sërish Ministrisë, e cila ka fjalën e fundit për të dhënë “bekimin”, duke i hapur rrugë kështu kalimit të hallkave të tjera. 

 

Sistemi Bonus-Malus, sërish në qendër të modelit

Sistemi bonus-malus ishte pjesë e draftit të parë të prezantuar nga AMF, madje ky model u sqarua në detaj duke theksuar se në bazë do të kishte modelin italian. Logjika e sistemit bonus-malus është që pagesa e çdo primi sigurimi të bëhet sipas profilit të riskut që paraqet çdo drejtues mjeti. Risku më i lartë, ashtu si në modele tipike të kësaj natyre, u vishet atyre që marrin një leje qarkullimi për herë të parë, si dhe atyre që kanë një historik problematik, lidhur me aksidentet. Këto dy grupe do të paguajnë edhe çmime më të kripura. Në draft-ligjin e AMF, sistemi bonus-malus përcaktohet në nenin 8, ku thuhet se bazë për përcaktimin e primeve do të shërbejë historiku i aksidenteve në pesë vitet e fundit.

 

“Sistemi bonus-malus është sistemi i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të të siguruarve Certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti”, thuhet në draft-ligj. Kjo do të thotë se primi i sigurimit për çdo qytetar do të jetë “i personalizuar” dhe rezultat i disa faktorëve që merren në konsideratë gjatë përllogaritjes. Gjasat janë që detajet më të sakta për klasat, AMF, t’i përcaktojë me një rregullore më vete.

 

Kompanitë do të kufizohen nga loja me çmimet, ndryshim vetëm dy herë në vit

Që nga liberalizimi i tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik, vendosja e një primi sigurimi u kthye në “pazar”. Fillimisht kompanitë patën një qasje që i çoi ato drejt një uljeje drastike të primit që në disa raste arriti dhe 4 mijë lekë vetëm që të fitonin treg. Kjo detyroi AMF që, duke mos pasur instrumente të tjera ndërhyrjeje në një treg të liberalizuar, të miratonte një mesatare risku që kompanitë ishin të detyruara ta zbatonin. Pra ato nuk mund të shisnin poshtë këtij niveli ose në të kundërt, duhet të provigjononin më shumë. Vendosja e një dyshemeje risku nuk i pengoi kompanitë që të miratonin një çmim të ri një herë në disa ditë, duke krijuar amulli në treg. Por edhe që prej gushtit 2016, tarifat e primeve kërcyen me 25%, duke kapur nivele që në atë kohë u dukën të larta, sërish kompanitë herë pas here kanë luajtur duke shitur jashtë brokerit dhe duke ofruar ulje të konsiderueshme. Për t’i dhënë fund oscilacioneve me primet është vendosur një element shtesë.

 

Në draft-ligjin e ri, AMF kufizon kompanitë që të mos e ndryshojnë çmimin më shumë se dy herë në vit, ndërkohë që risi është edhe kufizimi i shpenzimeve diçka që në ligjin në fuqi nuk e gjejmë. “Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik. Shpenzimet e marrjes në sigurim, shpenzimet administrative, si dhe pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit nuk mund të jenë më shumë se 40% i primit të shkruar bruto, nga të cilat komisionet e ndërmjetësimit të mos jenë më shumë se 12% e primit” thuhet në nenin 7 të ligjit, i cili analizon tarifën e primit të sigurimit të detyrueshëm.

 

Vendoset afat për pagesën e dëmshpërblimit, bëhet brenda 14 ditësh

Në rastet kur kompanitë bëjnë pranimin e një kërkese dëmshpërblimi ato duhet që ta trajtojnë atë brenda 30 ditësh, nëse është kërkesë për dëme pasurore dhe 90 ditë, për dëme pasurore. E reja në nenin 12, që lidhet me dëmshpërblimin, ka të bëjë me vendosjen e një afati për pagesën e dëmshpërblimit. “Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit. Në rastet kur kërkesa e paraqitur nuk është e plotë, shoqëria e sigurimit i drejtohet paraqitësit të kërkesës me shkrim brenda 8 ditëve pas pranimit të kërkesës dhe kërkon plotësimin e dokumentacionit”, thuhet në draft-ligj. Po kështu një tjetër e re është edhe trajtimi që do t’ju bëhet kërkesave për dëmshpërblim në vlerë të vogël deri në 100 mijë lekë. Sipas draftit të AMF, kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 000 lekë, do të paguhen nga shoqëritë e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.

 

Kontratat e sigurimit, shtohen elementet përbërëse, dokument elektronik

Për herë të parë, kontrata e sigurimit del nga formati vetëm letër që lëshohet nga kompanitë e sigurimit, duke ju përshtatur zhvillimeve të teknologjisë dhe informacionit. Kjo do të thotë që kontrata ka vlerë edhe kur është dokument elektronik, sipas përcaktimeve të ligjit për nënshkrimin elektronik. Lidhur me formatin e kontratës janë të paktën 13 elemente që përcaktohen se duhet të përfshihen, duke nisur nga emrat dhe adresat e palëve, objektin e kontratës, rrezikun e përjashtuar dhe mbulimin, detyrimet e palëve e pasojat e mospërmbushjes për ta mbyllur me trajtimin e shërbimeve të siguruesit.

 

Transporti publik, shtohet mbulimi për paaftësinë e përkohshme

Kompanitë e transportit publik të çdo natyre pra transport rrugor, ajror, detar kanë detyrimin e sigurimit përmes një kontrate. Sipas ligjit, detyrimi i shoqërisë së sigurimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë. Kjo aktualisht zbatohet edhe me ligjin në fuqi “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, veçse vlen vetëm për dy raste, në atë të vdekjes dhe atë të paaftësisë së përhershme. Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, në rast vdekjeje është 2 milionë lekë, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka shtuar edhe një tjetër kategori me draftin e ri, duke përfshirë edhe pasagjerët me paaftësi të përkohshme për punë për të cilët minimumi i shumës së siguruar është 1 milion lekë./Monitor


Më të lexuarat