2532 biznese te reja ne Tirane – Rritje e ndjeshme ne krahasim me nje vit me pare
Mbi 2500 biznese të reja janë regjistruar vetëm në kryeqytet gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare te raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, janë në total 2532 subjekte kryesore dhe sekondare që janë regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Pjesa më e madhe janë biznese kryesore, ndërsa 411 prej tyre janë sekondare. Të ndara sipas kategorive, kryeson regjistrimi i bizneseve të vogla, me 1737 të tilla, ndërsa pjesa tjetër janë biznese të mëdha, vip dhe të përfshira në kategorinë të tjerë. Po ta krahasojmë më të njëjtën periudhë të një viti më parë, vihet re një rritje e numrit të subjekteve të regjistruara, me 438 të tilla. Konkretisht gjatë periudhës Janar-Mars 2017 janë regjistruar në total 2094 biznese kryesore dhe sekondare. Ndërsa në të gjithë vendin në 5 muajt e parë të vitit, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit janë regjistruar në total 9322 biznese të reja, prej të cilave 6029 i përkasin 3 periudhës Janar-Mars, çka do të thotë që pothuajse gjysma prej tyre janë të pozicionuara në kryeqytet./Scan