Secondary Adv

Blerja e viteve te pensionit, rritet tarifa ne 2015-en

Me ligjin e ri të miratuar së fundmi, një i vetëpunësuar mund t’i blejë 20 vjet me rreth 200 mijë lekë të reja, nga rreth 30 mijë lekë që kushtonin aktualisht. Afati për pagesën pa kamatëvonesa edhe 20 ditë.


Mundësia për të blerë vitet e punës për të vetëpunësuarit në bujqësi me vetëm 15 dollarë vitin është në fuqi për jo më shumë se 20 ditë, pasi vitin tjetër blerja e viteve do të ketë tarifa të reja, lajmëron Ministria e Mirëqenies Sociale. Për shkak të hyrjes në fuqi të reformës së pensioneve vitin që vjen do të ketë tarifa të tjera, njoftojnë burimet zyrtare.


Ligji i ri per pensionin
Me ligjin e ri të miratuar së fundmi, një i vetëpunësuar mund t’i blejë 20 vjet me rreth 200 mijë lekë të reja, nga rreth 30 mijë lekë që kushtonin aktualisht. Viti 2014, për të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi është shansi i fundit për të siguruar periudhat e kaluara, sepse me reformën e re të pensioneve që hyn në fuqi më 1 janar 2015, vitet e shkuara nuk mund t’i blesh më me çmimet që kishin në atë vit, po me çmimin e vitit në të cilin i blen.


Vendimi për blerjen e viteve të pasiguruara me çmimet që kanë ekzistuar më parë duket se ka sjellë efektet e para pozitive, pasi Ministria e Mirëqenies Sociale raporton një fluks të lartë fermerësh që kanë derdhur shumat e parave pranë zyrave të sigurimeve. Nga vendimi për faljen e kamatëvonesave për vitet e papaguara të sigurimeve shoqërore përfitojnë rreth 290 mijë të vetëpunësuar.


Nga ana tjetër, nga kjo amnisti përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë dhe sipas përfaqësuesve të ministrisë, kjo masë ndërmerret jo pa qëllim në fund të vitit, duke qenë se është momenti kur emigrantët kthehen në Shqipëri për festat e dhjetorit.
Për të përfituar nga blerja e viteve të pensionit fermerët duhet të jenë banorë të fshatit ose të nënqarkut ku kanë aktivitetin, të kryejnë aktivitet bujqësor apo blegtoral, të kenë tokë në pronësi apo me qira.


Dokumentet qe duhet te paraqesin
Dokumentet që duhet të paraqesin janë: një dokument që vërteton që janë banorë të komunës apo nënqarkut ku kryhet aktiviteti bujqësor apo blegtoral, dokument të pronësisë së tokës si dokument hipotekor ose dokumentet e ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, kontratë qiraje të tokës ku kryejnë aktivitetin, një vërtetim nga organet e pushtetit lokal që kryejnë ose kanë kryer aktivitet bujqësor apo blegtoral.
Të gjitha këto dokumente dorëzohen pranë inspektorit të sigurimeve shoqërore pranë çdo komune apo agjencie të sigurimeve shoqërore, të cilët pasi kontrollojnë rregullshmërinë dhe saktësinë e tyre, e pajisin fermerin me një dokument ku përcaktohet periudha e sigurimit dhe shuma që do të paguhet për këtë periudhë.


Me këtë dokument, fermeri kryen pagesën në degët e bankave të nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare. Pas pagesës pajisen nga ana e inspektorit me dokumentin përkatës që vërteton pagesën e kontributit krahas mandat-pagesës që vetë fermeri ka nga banka ose zyra postare.


Më të lexuarat