
Nis restaurimi i Pazarit te Korces
Në qytetin e Korçës ka nisur restaurimi i një godine të vjetër me vlera historike, e njohur si dyqani i Rakos tek Pazari i Korçës. Kjo godinë e rrënuar ishte kthyer në një vend grumbullimi plehrash, në një kohë kur ajo fshihte tipare të mrekullueshme të fshehur për aq e aq vite.
Sipas Bashkisë së Korçës, ish-dyqani i Rakos do të kthehet në një nga godinat më të bukura të Pazarit të Vjetër të Korçës, që po rimerr shkëlqimin e dikurshëm. 4 milionë dollarë të bashkëfinancuara nga Qeveria shqiptare dhe AADF-ja do t’i rikthejnë, Pazarit, shkëlqimin e dikurshëm dhe qytetit, një prej vlerave më të spikatura të tij.
Pazari i Korçës
Pazari i Korçës brenda pak muajsh do të kthehet në identitet. Projekti me një financim prej 4 milion dollarë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të përfshijë restaurimin e të gjitha ndërtesave të këtij ansambli.
130 objekte të evidentuara nga specialistët kërkojnë ndërhyrje nga amortizimi. Përveç restaurimit të fasadave, synohet edhe rivitalizimin i zonës duke mundësuar futjen e shërbimeve të reja me prioritet ato të hotelerisë. Pazari i Korçës është klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë dhe arkitektura e veçantë e ndërtesave 3 shekullore, e bën atë tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.
Hanet e pazarit të vjetër
Pazari i vjetër i Korçës, me vlera historike dhe monumentale, pjesë të rëndësishme të tij ka pasur ato që quheshin “Hane” dhe që mbajnë ende këtë emër për ndërtesat e shpallura monumente kulture të kategorisë së parë. Por, duket se vetëm emri u ka mbetur ndërtesave karakteristike që në kohët e lulëzimit të këtij pazari nga fundi i shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit XX, kur ekzistonin jo pak, por 18 të tilla.
Hanet mbanin emra sipas klientëve që strehonin apo zonave nga vinin ata, dhe të tillë ishin Hani i Gjelit, Hani i Manastirit, Hani i Maqedonasve, Hani i Voskopojës, Hani i Elbasanit, Hani i trebickallinjve, Hani i vithkuqarëve, Hani i devollinjve etj. Pothuajse të gjithë janë të shkatërruar, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të këtyre haneve, që tani ose u janë zhdukur gjurmët, ose kanë mbetur ca mure të vogla me gurë. Ishin të gjithë me vlera historike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore, që mbart pazari i vjetër i Korçës, por si para viteve ‘90, edhe më pas, nuk është treguar ai kujdes që duhej për ekzistencën e tyre të mëtejshme si qendra muzeore.
Ambiente me qira për tregti
Katet e para të këtyre haneve janë shndërruar në dyqane, që pronarët i japin me qira për tregtarët e pazarit, pa asnjë kusht mirëmbajtjeje. I gjithë oborri i Hanit të Elbasanit është kthyer prej vitesh në një vend tregtimi të mallrave, ndërsa kati i dytë i tij funksionon si një lloj hoteli për bujtës të rastësishëm, por me kushte që ndryshojnë si nata me ditën nga ato kur dikur mbaheshin këto hane. Që të gjitha hanet e pazarit të vjetër të Korçës kanë qenë shumë të dëgjuara, pasi frekuentoheshin si nga tregtarë vendas, ashtu edhe të huaj. Më shumë se 200 vjet më parë, kur nuk i shkonte kujt në mendje për turizëm, këto hane i sollën qytetit të ardhura të konsiderueshme.
Pazari i vjetër dhe vlerat e tij
Bukuria e haneve qëndronte jo vetëm në atë se ato i jepnin gjallërinë pazarit të vjetër të Korçës, por për nga ndërtimi i godinave me disa oda që lidheshin ndërmjet tyre nëpërmjet një galerie, me vlera të papërsëritshme arkitekturore.
Në pazarin e vjetër të Korçës është ndërhyrë disa herë me fonde për restaurime të pjesshme të tij, ku janë përfshirë edhe hanet e famshme të këtij pazari që janë shpallur monumente kulture të kategorisë së parë. Por, këto investime kanë shkuar sa për të lyer me gëlqere fasadat, dhe për të vënë disa dritare të reja, ndërsa brendia e godinave të haneve është në gjendje të mjerueshme, aq sa rrezikojnë çdo ditë shembjen. Investimet e kryera deri tani, në asnjë rast nuk e kanë justifikuar shpenzimin e tyre për mirëmbajtjen e haneve të pazarit të Korçës, ndërsa edhe vetë pazari ka përjetuar, ashtu si hanet e tij, një degradim thuajse të plotë.
Më të lexuarat








