Secondary Adv

Nuk ka fitues nga ikja e Plus, te gjithe operatoret me renie te numrit te abonenteve

Sipas të dhënave nga AKEP, në tremujorin e parë të këtij viti, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare zbriti në 2.9 milionë, afro 20% më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

 

Kuptueshëm mbyllja e operatorit Plus ka pasur një efekt te statistikat e numrave celularë aktivë, megjithatë ajo që bie në sy është se asnjë prej operatorëve të tjera nuk e ka rritur numrin e përdoruesve. Sipas AKEP, Vodafone Albania ka pësuar rënie të përdoruesve aktivë me afro 22% që nga fillimi i vitit, Telekom Albania ka raportuar 10% më pak përdorues, ndërsa Albtelecom 3% më pak.

 

Edhe në tremujorin e fundit 2017, kur Plus kishte njoftuar mbylljen e aktivitetit, sërish numri i përdoruesve të operatorëve të tjerë kishte pësuar rënie. Po të shohim statistikat, nuk kuptohet se ku kanë shkuar mbi 200 mijë përdorues të Plus Communication. Kjo tendencë mund të shpjegohet pjesërisht me faktin që shumë përdorues kanë mbajtur më shumë se një numër celular. Mbyllja e Plus ka bërë thjesht që të reduktohen numrat e dytë apo të tretë celularë në përdorim.

 

Ende numrat celularë aktivë janë më shumë se numri i banorëve të vendit, çka tregon se shumë shqiptarë ende përdorin më shumë se një kartë SIM. Sidoqoftë, ajo që mund të thuhet me siguri është se askush nga operatorët e tjerë nuk ka përfituar rritje të bazës së klientëve pas daljes nga tregu të Plus. Operatori që ka pësuar më pak rënie është Albtelecom, ndërsa dy operatorët e tjerë kanë tkurrje dyshifrore të numrit të përdoruesve. Ulja e numrit të abonentëve aktivë në treg ka ndikuar edhe në rënien e trafikut të komunikimit nga rrjetet e lëvizshme. Volumi total i thirrjeve telefonike ka rënë me 4%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara ka rënë me 6% krahasuar me tremujorin e fundit 2017./Scan


Më të lexuarat