Shqiperi-Mali i Zi, vetem nje kontroll ne dogane per qytetaret e dy vendeve
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim informal me ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Mevludin Nuhodziç në Shkodër.
Dy ministrat konstatuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes vendeve tona dhe folën për thellimin e këtij bashkëpunimi, sidomos me operacione të përbashkëta mes 2 policive. Ata trajtuan çështje që lidhen me projekte të përbashkëta ndërkufitare, për të siguruar mbështetje financiare dhe asistencë nga BE. Ministri Xhafaj dhe Ministri Nuhodziç diskutuan gjithashtu mbi masat shtesë për lehtësimin e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në muajt e sezonit turistik veror ku ka një fluks pushuesish. Këtu u trajtuan çështje të bashkëpunimit më të mirë ndërkufitar, përfshi kontrollin e përbashkët të kufirit midis 2 vendeve si dhe lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes në PKK duke mundësuar procedurën e vetëm një kontrolli në hyrje dhe në dalje.
Dy ministrat, të shoqëruar nga ekipet me drejtues të policive, ndanë mendime dhe trajtuan çështjen e përballimit të një fluksi të mundshëm migrator nga vendet e treta. Ministri Xhafaj solli në vëmendjen propozimin e bërë nga ai në Trieste, për ngritjen e Qendrës së Përbashket Rajonale Policore, që do të trajtojë këto problematika, propozim që po trajtohet edhe nga pala malazeze. Dy ministrat e Brendshëm e mbyllën takimin me një inspektim të përbashkët në Pikën e Kalimit të Hanit të Hotit, ku panë nga afër masat policore për sezonin turistik./ata