Nje tjeter koncesion i ri per 20 vite. Qeveria ia jep privatit kontrollet e karburanteve
Një tjetër koncesion, apo siç njihen ndryshe PPP. Qeveria shqiptare ka miratuar një koncesion të ri në fushën e shpërndarjes së karburanteve.
Pas markimit tyre, në duart e privatit pritet të kalojë edhe kolaudimi i pompave të karburanteve. Aktualisht ky shërbim kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, një institucion në varësi të Ministrisë së Financave. Referuar vendimit të qeverisë, procedura e kolaudimit të pompave do t’i kalojë një kompanie private për një periudhe 20-vjeçare. Në mbledhjen e së mërkurës qeveria i ka dhënë dhe një bonus prej 10 pikësh kompanisë Noa Control, e cila ka propozuar koncensionin në fjalë. Bonusi i jep avantazh në tender kompanisë që është vetofruar për të marrë përsipër kontrollin e pompave të karburanteve. Noa Control është krijuar 3 vite me parë dhe sipas ekstraktit të qendrës kombëtare të biznesit është në pronësi të Gentian Sulës. Aktualisht, Drejtoria e Metrologjisë kolaudon dy herë në vit pompat në pikat e karburanteve për të kontrolluar peshën dhe disa elemente të sigurisë së karburanteve./Ballkanweb