
OSHEE: Ne vitin 2016, asnje familje pa mates energjie
Me kredinë e marrë nga BERZH do të blihen 300 mijë matësa. 30 milionë dollarë do te jene gati për blerje në rast thatësire dhe furnizim me energji elektrike të konsumatorëve.
30 milionë dollarë pjesë e huasë së BERZH-it, do të përdoren nga KESH-i në rast thatësire për garantimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. 93 milionë dollarë do të shkojnë për matësit e energjisë dhe rrjetin e shpërndarjes me nënstacionet, të cilat do të ndërtohen dhe riparohen. 20 milionë dollarë do të shkojnë për përmirësimin e matjes në qendrat e shpërndarjes së rrymës në OST, pra në Operatorin e Transmetimit. Ndërsa 6 milionë e 700 mijë dollarë jepen për menaxhimin e përgjithshëm të projektit. Këtë ndarje e shpjegoi zëvendësministri i Financave, Ilir Bejtja dje, në Komisionin për Ekonominë.
Projekti zgjat 5 vjet, nga 2015 në 2019, periudhë në të cilën pala jonë nuk do të paguajë principal, por do të shlyejë vetëm pjesën e interesit. Në total, kredia është 22 vjet, me terma shumë të favorshme. Norma e interesit është 0.75% plus euriborin. Duke e parë në nivelet e sotme, kjo e çon totalin e interesit të kredisë në rreth 1.1-1.2% në vit. Sipas Bejtes, në Tiranë do të financohet nënstacioni i qendrës që do të rindërtohet, si dhe një nënstacion i ri.
300 mijë matës brenda 2016-ës
Ndërkohë, vazhdoi Bejtja, do të blihen mbi 300 mijë matës dhe do të instalohen brenda vitit 2016. “Kjo do të bëjë të mundur që të mos kemi asnjë konsumator pa matës dhe, nga ana tjetër, ata që kanë matës të dëmtuar apo matës të vjetër në teknologji, të kenë matës të rinj të saktë”, deklaroi Bejtja dhe shtoi se në këtë muaj të aksionit për energjinë elektrike, janë vënë re shumë matës të dëmtuar. “Në tri sahate që ne mund të heqim, mund të rikuperojmë në kufirin 1.4 dhe 1.8 prej tyre. Pra, kemi probleme edhe me matësit ekzistues, jo thjesht ata që janë pa matës.
Gjithashtu, matës do të merren për nivele të ndryshme të tensionit. Po kështu edhe balancmetër, të cilët bëjnë të mundur të verifikohet energjia dhe në hyrje e në dalje, për të dalluar gjatë linjës ku mund të ketë ndërhyrje nga fideri në kabinë apo nga nënstacioni në fider”, sqaroi zëvendësministri Ilir Bejtja. Sipas tij, do të ketë investime në rrjetin e shpërndarjes me kabllo, të cilat do të bëjnë të mundur të zëvendësohen një pjesë e kabllove të tensionit. Atje ku janë të dëmtuar, për shkak të ndërhyrjeve abuzive në tensionin e ulët, do të ketë investime nga ana e OSHEE-së. “Nuk janë vetëm 93 milionë dollarë, janë edhe pjesa e kontributit të vetë Operatorit të Shpërndarjes që do ta kompletojnë të gjithë këtë ndërhyrje në sistem me rreth 139 milionë dollarë. Natyrshëm, kjo nuk mjafton. Në qoftë se ne do të interesoheshim sot ta sillnim në parametra normalë pune të gjithë rrjetin e shpërndarjes, na duhen më shumë se 900 milionë dollarë, afërsisht 1 miliard dollarë”, deklaroi Bejtja.
Sipas tij, mundësitë për financim janë të kufizuara, sidomos nga vetë operatorët, të cilët janë në gjendje të rrënuar. “Operatori i Shpërndarjes sot është në një vlerë negative aksionesh prej 72 miliardë lekësh nga rreth 15.6 miliardë lekë që ishte tre vjet më parë kur u bë privatizimi i tij. Pra, dëmi që është bërë, është rreth 90 miliardë lekë dhe, nga ana tjetër, humbja e trashëguar nga mosrealizimi i të ardhurave, pra nga mosmbulimi i shpenzimeve me të ardhurat, shkon rreth 62 miliardë lekë”, llogariti Bejtja. Ndërkaq, një prej deputetëve shtroi pyetjen: “Do të vazhdojmë akoma të ngelemi në kuadrin e mospagesës së faturës së energjisë elektrike, për shkak të matësve jo të rregullt? Si ka mundësi që ju nuk shikoni opsionin për përdorimin e aparateve të limituar, me kartë?!
Përderisa kjo hua po merret, përse të mos shikohet mundësia e futjes në treg të këtyre aparateve, të cilët do të shmangnin abuzivitetin?” Në përgjigjen e tij, Bejtja tha: “Ka projekte të propozuara nga kompani të ndryshme për matës inteligjentë ose për ato që janë me parapagim. Janë në fokusin e analizës nga ana e Operatorit të Shpërndarjes për t’u dhënë në formën e outsource-it, vetëm për matjen, fillimisht me projekte pilot dhe më pas për t’u shtrirë në të gjithë territorin”. Ai që ne sot kemi nevojë, vazhdoi Bejtja, është të kemi fizikisht matës dhe këto jo vetëm në konsumatorë finalë, por në nivele të ndryshme të rrjetit, pasi nuk jemi të saktë për energjinë që del nga nënstacioni dhe energjinë që ne dërgojmë deri te konsumatori final.
Më të lexuarat








