Secondary Adv

Tapite e tokave, shtyhet afati per verifikim deri ne 30 qershor 2016

Shtyhet afati i ndarjes së tapive për tokat bujqësore përtej zgjedhjeve të ardhshme vendore. Megjithëse qeveria kishte vlerësuar se mjaftonte zgjatja e afatit të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” deri në 31 dhjetor 2015, deputetët kanë propozuar datën 30 qershor 2016.


Dje, në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u miratua projektligji me shtesat që synojnë përfundimin e plotë të procesit të dhënies së tapive të tokës. Të ftuar ishin përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët prezantuan projektligjin. Sipas tyre, ndarja e tokës bujqësore për territoret e ish-kooperativave bujqësore është realizuar në bazë të ligjit nr. 7501, “Për tokën”. Kriteret e ndarjes së tokës bujqësore janë parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1991, “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, ndërsa dhënia e tokës bujqësore në pronësi realizohet dhe vërtetohet vetëm me dokumentin bazë unik, që është “akti i marrjes së tokës në pronësi”.


Në Verilindje, toka pa dokumentacion
Sipas përfaqësuesve të ministrisë, nga informacionet e drejtorive të administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë këshillave të qarqeve, si dhe nga ankesat e qytetarëve ka rezultuar se komisionet e ndarjes së tokës në fshat, në shumë raste, nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë (AMTP). Fenomeni i mungesave në plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore është masiv në zonën verilindore të vendit, veçanërisht në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës e Lezhës, ku 60 deri në 70% e tokës rezulton pa dokumente nga komisionet, por ka raste edhe në disa fshatra të qarqeve të tjera. Me miratimin e këtij projektligji, Ministria e Bujqësisë pretendon se, bëhet e mundur zgjidhja e problemeve të mbartura në vite në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor në territoret e ish-kooperativave bujqësore.


Afati
Në projektligjin e qeverisë, është parashikuar afati i fundit i plotësimit të AMTP-ve, data 31 dhjetor 2015, nisur nga koha e shkurtër në dispozicion për realizimin e procedurave, duke marrë në konsideratë edhe kohën për miratimin e ligjit dhe akteve nënligjore dhe me argumentin që, për shkak të problematikave komplekse, do të duhej më tepër kohë për përfundimin e procesit nga njësitë e qeverisjes vendore. Por, sipas propozimit të deputetëve, afati 30 qershor 2016 është i nevojshëm për t’i dhënë kohë qeverisë që të nxjerrë vendimet në lidhje me funksionimin normal të këtyre komisioneve nën drejtimin e prefektëve të qarqeve dhe njëkohësisht për të vënë këtë proces në akord me reformën territoriale që zbatohet bashkë me zgjedhjet vendore në vitin 2015.


Drafti
Në vitin 2008, qeveria e asaj kohe miratoi ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, që u plotësua me ligjin e vitit 2012 për territoret e ish-kooperativave bujqësore. Ligji ngarkon kryetarët e komunave dhe bashkive, qëkur komisioni i ndarjes së tokës nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit nr. 7501, “Për tokën”, dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën. Sipas këtij ligji, “Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij”. Ndërkaq, qeveria në 2013, nxori vendimin “Për përcaktimin e procedurave të plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për familjet bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore”, i cili përcakton procedurat, dokumentacionin, si dhe institucionet përgjegjëse për realizimin e procesit.
Nga informacionet shkresore, të paraqitura nga komunat dhe bashkitë rezulton se e kanë aplikuar këtë mundësi ligjore për plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore një numër i vogël njësish të qeverisjes vendore, si komunat Dajt e Vaqar – Tiranë, Golem e Synej – Kavajë, Tomin, Zerqan, Kastriot e Kala e Dodës – Dibër, Nikël – Krujë, Bushat – Shkodër, Çërravë – Korçë, Bradashesh – Elbasan, Rrapë – Pukë, si dhe bashkitë Bulqizë, Himarë, Orikum dhe Rubik. Një nga arsyet kryesore që nuk është mbyllur dhënia e tapive, është edhe vonesa në korrespondencën administrative mes institucioneve. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e komunave dhe bashkive, të cilat kanë në juridiksionin e tyre tokë bujqësore me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore, ende nuk kanë përfunduar procesin e plotësimit të dokumentacionit të pronësisë.


Ndërsa shtetasit, ndonëse e përdorin faktikisht tokën bujqësore, nuk disponojnë dokumentacionin e pronësisë mbi të, çka pengon në formalizimin e tyre, përfitimin e subvencioneve nga buxheti i shtetit, kryerjen e transaksioneve , etj.


Kufizimet
Një nga institucionet që shtohet në procesin e kontrollit është edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ligji i vitit 2012 përcakton se mbi cilat sipërfaqe të tokave bujqësore nuk lejohet të plotësohen AMTP-të. Por, qeveria në draftin e paraqitur shton edhe një kategori të re tokash. Kjo bëhet duke pasur parasysh vendimin e qeverisë më 12 shkurt 2014, “Për identifikimin e sipërfaqes së tokës prej 25 000 ha, në pronësi shtetërore, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave”.


Pra AMTP-ja nuk plotësohet në qoftë se toka bujqësore, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për të ruajtur këtë proces nga çdo veprim i mundshëm abuziv, qeveria propozon që vendimi i këshillit të komunës, si akti përfundimtar për evidentimin, përcaktimin dhe saktësimin e përdoruesve realë të tokës, dhe për përcaktimin e vendndodhjes së saj, sasisë dhe kufitarëve për çdo përdorues, të depozitohet në të gjitha institucionet që do të mbikëqyrin e do të kontrollojnë atë. Një nga institucionet që shtohet në këtë proces kontrolli është edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra tokat e kthyera ish-pronarëve nuk pajisen me tapi.


Komisionet
Vendimet përtej afatit 31 dhjetor 2013, janë të vlefshme. Do të ndryshohet përbërja e komisioneve të shqyrtimit të vlefshmërisë të titujve të pronësisë mbi tokën. Në disa komuna dhe bashki, vendimet e këshillit për përcaktimin e përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat, janë marrë tej afateve të përcaktuara në ligjin nr.58/2012,“Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”. Për këtë qëllim, në nenin 2, të projektligjit, është parashikuar se kur këto vendime dhe plotësimi i dokumentacionit të pronësisë rezultojnë në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.58/2012, në periudhën nga data 31 dhjetor 2013 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të konsiderohen të vlefshme.
 Gjithashtu do ndryshohet edhe përbërja, mënyra e funksionimit, detyrat e përgjegjësitë e komisioneve të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, duke i dhënë fund në këtë mënyrë dhe abuzimit me tokën bujqësore. Ndërkohë edhe pse kanë kaluar 5 vite nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk ka statistika të sakta se si ka ecur ky proces dhe sa tituj pronësie janë dhënë deri më tani. Vazhdimisht deputetët kanë kërkuar statistika të sakta nga Ministria e Bujqësisë se çfarë është bërë me ligjin e vitit 2008./Gazeta Shqip


Më të lexuarat