Bursa e Tiranës është mbyllur përfundimisht, pa listuar asnjë kompani dhe pa tregtuar asnje aksion gjatë gjithë jetës së saj prej 12 vitesh, duke dështuar në objektin e saj, atij të krijimi të një tregu kapitalesh në Shqipëri.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pasi i ishte lënë tre muaj për të gjetur vetë të ardhurat për mbarëvajtjen e aktivitetit, së fundmi është firmosur shkresa e mbylljes së saj. Bursa Tiranës u themelua në vitin 2002 në formën e shoqërisë aksionare, dhe ka funksionuar në përputhje me dispozitat e ligjit Nr.9901 dt. 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit Nr.9879 dt.21.02.2008 “Për titujt”.
Objekti i veprimtarisë së Bursës së Tiranës sh.a ishte krijimi i një tregu kapitalesh apo titujsh duke krijuar një sistem tregtimi me anë të të cilit “ofertat për shitje, blerje apo këmbim të titujve kryhen apo pranohen rregullisht; oferta apo kërkesat kryhen rregullisht kur janë oferta apo kërkesa të paracaktuara apo janë te pritshme, që rezultojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në bërjen apo pranimin e ofertave për shitje, blerje, apo këmbim të titujve ose; jepet informacion rregullisht lidhur me çmimet dhe shpërblimet që persona apo grupe të veçanta propozojnë apo presin të shesin, të blejnë apo të këmbejnë tituj”.
Pse nuk funksionoi bursa Ndërsa në shtetet e rajonit, zhvillimi i tregut të kapitale u mbështet nga shteti, me shumë vende që realizuar shitjen e ndërmarrjeve shtetërore përmes bursës, në Shqipëri forma e zgjedhur e privatizimit ishte përmes ankandeve, tendenave, apo bonove të privatizimit. Nga ana tjetër, biznesi vendas ishte i pamaturuar për të kaluar në një stad më të lartë, atë të sigurimit të financimit përmes ofertave publike në bursë, teksa informaliti i lartë (puna me dy bilance, që sillte mosdeklarimin real të të ardhurave) ishte një tjetër pengesë që shoqëritë t’i drejtoheshin bursës. Shpresa e vetme për kompanitë shqiptare për të siguruar financime përmes tregut të kapitaleve tashmë mbetet vetëm plani për një bursë rajonale. Bursa e Tiranës ka kryer aktivitet vetëm për një kohë të shkurtër pas vitit 2002, duke qenë agjen i qeverisë në tregun sekondar të letrave me vlerë, por edhe ky funksion i kaloi Bankës së Shqipërisë./Monitor
Mbyllet perfundimisht Bursa e Tiranes sha. Bursa e Tiranes sh.a. Bursa ne Shqiperi, Bursa e Tiranes, Bursa ne Tirane,