Secondary Adv

Legalizim me pagese per shtepite e dyta dhe objektet social-ekonomike

 

Tri pagesa për shtëpitë e dyta dhe objektet social-ekonomike. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është për të gjitha ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni.


Shërbimet e zyrave të ALUIZNI-t nuk do të jenë falas për aplikuesit e objekteve që nuk janë banesa. Me propozim të ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave vendosi dje “Vlerat e zbatueshme për legalizim dhe mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje”.


Pagesa për verifikimin në terren
Kështu, të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga: a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore; b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


Tarifa e shërbimit për legalizim
Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, është 8 mijë lekë, për çdo kat të ndërtimit. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike. Pagesa e tarifës së shërbimit duhet të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.


Taksa e infrastrukturës
Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, do të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore. Drejtoritë e ALUIZNI-t do të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP (Zyra e Regjistrimit të Pasurive), të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.


Penaliteti i legalizimit
Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, si çmim minimal fiskal do të përdoret ai i parashikuar në udhëzimin nr. 2, datë 6 qershor 2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014”. Për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja do të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare.


Më të lexuarat