Secondary Adv

Faturimet aforfe te ujit, ERRU: Shumica e familjeve konsumojne me pak, por paguajne me shume

Vetëm 68.3 për qind e ujit që faturohet bëhet përmes matjes së saktë për pjesën tjetër aplikohet aforfeja. 

 

Në raportin e performancës për vitin e kaluar publikuar këtë qershor Enti Rregullator I Ujit (ERRU) vlerëson se ky nivel matjeje mbetet relativisht i ulët. Në disa raste niveli i instalimit të matësve është shumë i ulët dhe një rol në këtë pjesë ka pasur edhe reforma territorial dhe zmadhimi i hapësirës që duhet të mbulojnë ujësjellësit me shërbim. “Duke pasur parasysh riorganizimin e shoqërive me ndarjen e re administrative, aktualisht asnjë shoqëri UK nuk i ka të pajisur 100% të konsumatorëve me matës, madje në disa shoqëri ky tregues është në nivelin nën 10%” thuhet në raport. Nga ana tjetër lidhur me faturimin aforfe, Enti nënvizon se shumica e konsumatorëve paguajnë më shumë sesa konsumojnë dhe se rastet e shtëpive private me konsum më të lartë sesa faturohen përmes aforfesë janë më të pakta. “Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre. Pjesa e konsumatorëve që paguajnë për sasi uji pa matje (aforfe 150 litra/ditë/banor) nuk është korrekte dhe mbart në vetvete padrejtësi dhe abuzim. 

 

Kjo për faktin se shumica e konsumatorëve familjarë konsumojnë nën këtë normë të presupozuar, ndërkohë që një pjesë e tyre konsumojnë shumë më tepër për ujitje (shtëpia private dhe zona rurale)” vijon raporti. Enti nënvizon se aforfeja u leverdis financiarisht ujësjellësve pra marrin më shumë para sesa uji që është konsumuar edhe pse në disa raste nga ana tjetër stimulohet konsumi më të lartë. “Në disa raste shoqërive u vjen përshtat financiarisht faturimi aforfe, por kjo shpeshherë stimulon mbikonsum të ujit në zona të caktuara duke cenuar cilësinë e shërbimit (orët e furnizimit dhe presionet) në zonat shpërndarëse mbas tyre sidomos gjatë stinës së nxehtë. Pajisja 100% me ujëmatës në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë duhet të jetë prioritet bazë i shoqërive UK dhe i mundësisë të financimit të tyre nga qeveria qendrore. Shoqëritë UK për vitin 2017 kanë raportuar instalimin e 63 820 ujëmatëseve më shumë krahasuar me vitin 2016, por akoma sektori është larg objektivit për të pajisur 100% të konsumatorëve me matësa” vlerëson Enti Rregullator i Ujit./Ballkanweb


Më të lexuarat