Milot-Balldren, qeveria jep bonusin per koncesionin e radhes, projekti pjese e paketes 1 mld euro
Një javë pas dhënies së bonusit për një kompani që do të ndërtojë projektin për rrugën Orikum-Himarë, Qeveria ka miratuar vendimin e radhës për një tjetër projekt.
Bëhet fjalë për aksin Milot-Balldren edhe ky pjesë e paketës “1 Miliardë euro” që do të shkojnë për disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, një pjesë e të cilave tashmë kanë nisur apo janë në fazë procedurash. Rruga Milot-Balldren është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane dhe sipas detajeve të bëra më herët publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatësia e këtij aksi pritet të jetë 18.2 kilometra me 6 korsi dhe që ka në përbërje edhe një tunel 850 metra, shkruan “monitor”.
Vendimi i qeverise
VENDIM PËR MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR “PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, FINANCIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E SEGMENTIT RRUGOR MILOT-BALLDREN” Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, si dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Miratimin e bonusit prej 8,5% (tetë presje pesë për qind) të pikëve, që i jepet shoqërisë “A.N.K.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./Ballkanweb