Shqiperia me fermen me te madhe te akuaponise ne Europe, investim 5 mln euro
Shqipëria do të ketë fermën më të madhe të akuaponisë në Europë.
Një projekt 5.1 milionë euro synon zbatimin e teknologjisë më inovatore që kombinon në prodhim dy sisteme. Kompania Aquatiq synon që në 1.3 hektarë në Remas të Divjakës të prodhojë 100 tonë troftë të ylbertë, 153 tonë domate cherry, 250 mijë tufa sallate, 1.1 milionë minivazo borzilok në vit të destinuara për tregjet europiane. Ky është projekti i parë i kësaj natyre, ndërkohë që në Shqipëri ekziston vetëm një rast i akuaponisë eksperimentale i zbatuar tërësisht në mënyrë autodidakte, lindur nga një video YouTube dhe një akuariumi në shtëpi. Remas është një nga pesë njësitë administrative të Bashkisë së Divjakës, me një popullsi që llogaritet 6500 banorë. Pakkujt mund t’i kishte shkuar në mendje se kjo zonë do të ishte qendra e fermës më të madhe akuaponike në Europë, një investim 5 milionë euro që vjen nga kompania Aquatiq, nën një trinom shqiptaro-austriako-gjerman. Vetëm pak muaj më parë, në Komitetin e Investimeve Strategjike do të miratohej statusi për një projekt tërësisht jashtë realitetit shqiptar.
Një fermë akuaponike, me një sipërfaqe 1.3 hektarë që do të punësojë rreth 60 persona dhe ka të veçantë kombinimin e dy sistemeve akuakulturën (rritjen e peshqve në vaska) dhe hidroponinë (kultivimin e bimëve në ujë) në një të vetme. Është interesante të shohësh sesi në një rajon si Lushnja, e njohur gjithmonë për bujqësinë tradicionale, zë vend një koncept që edhe në vende të zhvilluara ka përhapje minimale. Për Shqipërinë, ky është projekti i parë i kësaj natyre që nëse do të zbatohet me sukses do të shënojë një etapë tjetër të ndryshme nga ajo sesi konceptohet bujqësia sot, një sektor që endet mes prodhimit për mbijetesë, parcelizimit të lartë, çorganizimit të fermerëve dhe kulturave dhe një sërë problematikash të tjera. Por sa njihet në fakt akuaponia në vend? Shumë pak, për të mos thënë aspak. Me një rast të izoluar si nismë individuale e një inxhinieri, që ka vendosur të eksperimentojnë në mënyrë autodidakte në sipërfaqe të vogla diku në rrethinat e Tiranës, pasi kostoja e investimit është relativisht e “kripur”./Monitor