
Rruga Transballkanike ne Vlore, Qeveria firmos kompensimin e te shpronesuarve
Qeveria ka vendosur të shpronësojë për interes publik, pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Rrugës Transballkanike në Vlorë dhe t’i kompensojë ata në vlerë të plotë. Totali i kompensimit është 4 830 220 lekë.
Pronarët e listës, për të cilët është dhënë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, do të likuidohen pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, mbrëmjen e së mërkurës. Po ashtu, Qeveria ka bërë edhe një shtesë në vendimin për shpronësimin e trojeve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By pass Shkozet – Plepa.”
Ja vendimi i plotë
V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA TRANSBALLKANIKE”, VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga Transballkanike”, Vlorë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme 4 830 220 (katër milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet) lekë, nga të cilat:
a) për tokë “truall” - 145.4 m2, me vlerën 1 206 820 (një milion e dyqind e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet) lekë;
b) për “objekte” - 54 m2, me vlerën 3 623 400 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e tre mijë e katërqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 4 830 220 (katër milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet) lekësh të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, (zëri shpronësimet), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 3, 4, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Më të lexuarat








