Secondary Adv

Shengjin - Velipoje: gati projekti qe lidh keto dy pika turistike

Kryeministri Rama deklaroi se është gati projekti që lidh Shëngjinin me Velipojën, i cili shkurton kohën, por dhe ofron një panoramë fantastike për të gjithë turistët.

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi Dushko Markoviç, kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me bashkëpunimin e dy vendeve për zhvillimin e turizmit, theksoi se “natyrisht ideja nuk është për t’u ndalur në Velipojë, por për të bërë edhe lidhjen me anën tjetër të vendit. Për këtë po studiohen zgjidhjet në mënyrë që të kemi zgjidhje më efikase edhe njëkohësisht të ulemi dhe me miqtë tanë për të parë sesi mund të bashkëpunojmë në funksion të kësaj lidhjeje”. Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk i kam marrë leje kryeministrit, por me kujtohet premtimi i tij për të birin që ka shumë dëshirë të kalojë kufirin të vijë në Velipojë e Shëngjin me shokët për pushime. Ky është një tregim i shumë njerëzve nga jashtë kufirit, ka më shumë tregime nga ana jonë, pasi Mali i Zi e ka nisur procesin e transformimit të potencialeve turistike në një fakt ekonomik prej shumë e shumë viteve falë lidershipit vizionar e këmbëngulës të presidentit Gjukanoviç”.

 

“Por, për ne është fat që kemi pranë një eksperiencë kaq të bukur suksesi dhe sigurisht edhe dëshira e madhe e njerëzve për të komunikuar në këtë hapësirë”, -nënvizoi Rama duke shtuar se kemi edhe gatishmërinë e miqve malazezë për të na asistuar në këtë proces. Sipas tij, kemi shumë kontakte, shumë bashkëpunim përsa i përket rritjes së investimeve në turizëm, sidomos në këtë zonë dhe kjo përbën vërtet një fakt. Kryeministri i Malit të Zi Markoviç, në përgjigjen e tij theksoi se “Shqipëria dhe Mali i Zi përsa i përket bashkëpunimit ekonomik mund të bëjnë shumë në zhvillimin e potencialeve ekonomike. Mali i Zi ka bërë shumë , ne në drejtimin turistik me potencialin që kemi zhvilluar sot jemi të njohur në të gjithë planetin. Por, Shqipëria do të bëhet gjithnjë e më shumë interesante për investitorët seriozë e të besueshëm, të cilët duke ardhur në Mal të Zi shikojnë edhe bregdetin shqiptar”. Ne, vijoi ai, i mbështesim këta investitorë, i inkurajojmë të vendosin për investime kapitale edhe në turizmin shqiptar, pasi të dy palët do të kenë dobi nga ky fakt.

 

“Për të pasur efekt të plotë ne duhet të punojmë në avancimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj energjetike dhe dixhitale. Por, sot kemi folur për rëndësinë e rrugës Adriatiko-Joniane, e cila është si një korridor që do të financohet nga BE dhë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Malin e Zi”, theksoi Markoviç. Kreu i qeverisë malazeze u shpreh se “në drejtim të avancimit të dy vendeve të dy palët të shikojnë të gjitha barrierat jo tarifore, që tani i kemi dhe që kërcënojnë e ngadalësojnë biznesin dhe tregtinë mes kompanive të të dy vendeve tona”. Ai shtoi se duhet të gjejmë mënyrën që barrierat tarifore t’i eliminojmë dhe biznesin ta bëjmë më të lirë dhe më të lehtë. Kryeministri tha se “bashkëpunimi mes dy vendeve do të hapë perspektiva të reja duke përshpejtuar integrimin europian”./Ballkanweb


Më të lexuarat