Termeti godet Shqiperine: Ministria e Mbrojtjes zbardh bilancin e demeve
Prej orës 11:01 e deri në 13:35, Shqipëria është tronditur nga 6 lëkundje sizmike që kanë rënë shumë pranë njëra-tjetrës, me magnituda nga 2.2 deri në 4.9.
Më e fundit ishte një lëkundje e përafërt me atë që shkaktoi panik mes banorëve të shumë qyteteve, të orës 11, duke kapur magnitudën 4.3. Veç lëkundjeve me epiqendër zonën përreth Gjirit të Lalzit ka pasur edhe dy lëkundje të tjera në detin Adriatik, me magnituda 4.2 dhe 3.4. Qendra Kombëtare Operacionale pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka publikuar bilancin e dëmeve materiale të tërmetit që tronditi Shqipërinë pak pas orës 11:00 të paradites të kësaj të mërkure. Në fshatin Manzë të Durrësit ka rënë një çati në një banesë të braktisur; në fshatin Yrshek të Tiranës i është çarë muri një banese; në Marqinet të Vorës raportohet dëmtimi i çatisë së një banese; në Elbasan ka plasaritje të mureve të një pallati; në fshatin Cudhi të Krujës është plasaritur një banesë; në fshatin Brret të Krujës është plasaritur një banesë. Në qarqet Fier, Shkodër, Vlorë, Lezhë, Berat dhe Kukës nuk janë raportuar dëme në objekte dhe lëndime në njerëz./Top Channel