
Kriza prek kompanite e rrugeve, u kthehen HEC-eve
Biznesi i infrastrukturës rrugore është përfshirë këtë vit në krizën e mungesës së fondeve. Qeveria ka ulur programin e investimeve, sidomos për rrugët, duke orientuar fondet në periudhën afatmesme në linja të tjera, si ujësjellësit dhe portet. Riorientimi i investimeve mbetet jetik. Projekti TAP dhe HEC-et e vogla janë mundësitë e momentit.
Kriza që prej vitesh ka prekur bizneset e ndërtimit, së fundmi ka shtirë tentakulat edhe te kompanitë e ndërtimit të rrugëve. Pas vitit 2005, kur biznesi vendasfitoi të drejtën për të marrë pjesë në tenderët publikë për ndërtimin e autostradave, sipërmarrjet e këtij sektori shpërthyen. Kompanitë që më parë kishin ndërtuar vepra të vogla të infrastrukturës tani janë bizneset e mëdha që xhirojnë miliona dollarë fitime në vit, duke u renditur në 100 kompanitë më të mëdha në vend.
Fondi nga buxheti i shtetit këtë vit për ndërtimin e rrugëve është 23 miliardë lekë, nga të cilat 9,5 miliardë lekë janë nga burimet e brendshme dhe pjesa tjetër financime të huaja. Kompanitë shqiptare më së shumti përfitojnë nga fondet e brendshme, pasi financimet e huaja zakonisht aplikohen me kontraktorë të huaj dhe përgjithësisht kanë procedura shumë më të vështira disbursimi në krahasim me ato që akordon qeveria shqiptare.
Vitet në vijim, fondet nga buxheti për investime në rrugë do të jenë gjithnjë e në ulje për shkak të zhvendosjes së prioriteteve të qeverisë në sektorë të tjerë si shëndetësia, shërbimet, etj. Biznesi i kompanive të ndërtimit të rrugëve vitin që shkoi qarkulloi rreth 300 milionë euro, por në kushtet e reja të financimit, kompanitë janë duke rishikuar planet e investimeve për diversifikimin e portofolit.
Projekti TAP
Projekti i gazsjellësit TAP po shihet si një mundësi e artë për kompanitë e mëdha të rrugëve. Konsorciumi ka planifikuar të investojë rreth 100 milionë dollarë në infrastrukturën rrugore shqiptare. Këto do të jenë rrugë dytësore lehtësisht të realizueshme nga kompanitë shqiptare. Burimet zyrtare të projektit TAP kanë llogaritur se investimet për infrastrukturën mbështetëse për zbatimin e projektit në Shqipëri do të prekin qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Në këto zona, kompania ka planifikuar se do të ndërtojë ose rehabilitojë mbi 80 kilometra rrugë, përfshirë edhe akset kombëtare, të cilat do të bëjnëtransportimin e makinerive të rënda që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit. Investimet parashikojnë edhe ndërhyrjet në një sërë veprash arti, kryesisht urat, me qëllim që të përballojnë tonazhin e makinerive ndërtuese.
Në total, në Shqipëri, investimi i konsorciumit TAP llogaritet në 1.3 miliardë dollarë dhe do të shtrihet deri në vitin 2020. Për presidentin e kompanisë Geci, Ramë Geci, projekti TAP shihet si një mundësi shumë e mirë. Ai tha se, është interesuar për të gjitha fazat e projektit dhe është në pritje të shpalljeve që do të bëhennga konsorciumi.
Aktualisht projekti TAP është në fazën e tenderimit të madh, ku deri në fund të vitit do të përzgjidhen kompanitë që ndërtojnë tubacionin. Punimet do të shtrihen në 5 lote, 3 janë në Greqi dhe 2 lote në Shqipëri. Pasi të jenë përzgjedhur 5 kontraktorët e mëdhenj, do të nënkontraktojnë kompanitë vendase për të kryer punimet dytësore, ku përfshihen edhe rrugët. Geci tha se kompanitë shqiptare të ndërtimit të rrugëve, mbartin një përvojë shumëvjeçare dhe kanë të gjitha mundësitë për të kryer punime sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërtimi i tubacionit të TAP pritet të zhvillohet në harkun kohor 2015-2018, ndërsa sipas studimeve, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit është parashikuar të arrijë kulmin në vitin 2017. Në këtë vit, parashikohet që ndikimi i drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto do të jetë 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune.
Drejt HEC-eve
Shumë nga kompanitë e ndërtimit të rrugëve kanë shtrirë linjat e investimeve dhe në ndërtimin e HEC-eve të vogla dhe të tjerat e shohin si mundësi për të ardhmen. Kompanitë e ndërtimit të rrugëve Gener, Gjoka Construction, janë pronarë edhe të disa prej HEC-eve të vogla tashmë fitimprurëse.
Presidenti i kompanisë Gjoka, Rrok Gjoka, tha se, investimet në HEC-e shihen si perspektivë e mirë investimi në të ardhmen. Ai ka në plan të investojë në HEC-e edhe një pjesë të detyrimeve të prapambetura të qeverisë, që aktualisht janë në proces shlyerje. Salillari ltd, një nga kompanitë e ndërtimit të rrugëve, ka kthyer projektet nga energjia. Kompania sapo ka përfunduar projektet e financuara nga kompanitë shumëkombëshe private të tilla si OMV, Petrolium OCCIIDENTAL, CROSKO, INA, në fushën e ndërtimit të kantiereve të naftës, si Shqipëria Beg, Hidro Power Plant Kalivacidhe është duke punuar me Maire Tecnimont në Termocentralin e Vlorës, etj.
Me gjithë problematikën që HEC-et e vogla mbartin kanë nisur të japin sinjalet e para, se investimet nuk janë aq pa perspektivë. Kompanitë private të prodhimit të energjisë kanë filluar të gjenerojnë fitime të larta në vitin 2013. Pas disa vitesh humbje, Erdat Lura, kompania më e madhe private për prodhim energjie, që ka ndërtuar në vitet e fundit me skemën koncesionare, që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3, ka deklaruar në 2013-n një fitim prej 364 milionë lekësh, duke u renditur e 35-a, sipas kompanive me fitim më të madh, nga një humbje prej 33 milionë lekësh një vit më parë.
Kompania HEC i Tërvolit, një tjetër koncesionar që operon me hidrocentralin me të njëjtin emër, ka dyfishuar fitimet në 230 milionë lekë në 2013-n. GJO-SPA POWER, është operatori tjetër në këtë segment, që sërish ka rezultuar me një rezultat pozitiv prej 243 milionë lekësh, duke u renditur në vendin e 59 ndër 100 kompanitë me fitim më të madh në vend.
EURON ENERGY GROUP është një tjetër operator privat energjie, që hyn në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve, me një rezultat financiar para taksave prej 171 milionë lekësh, në vitin e parë që ka shitur energji. Ndonëse kanë rezultuar me fitime në bilance, një pjesë e tyre kanë probleme me arkëtimin e pagesave nga shitja e energjisë, duke hyrë në vorbullën e krizës që po kalon sistemi energjetik në Shqipëri, në të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi deri te shpërndarja te konsumatori fundor. Prodhimi i përgjithshëm për vitin 2013 nga gjeneruesit privatë ishte 759 GWh ose 11.1% e prodhimit të përgjithshëm neto vendas të vitit 2013.
Ujësjellësit dhe portet
Fondet publike për ujësjellësit dhe portet do të rriten në vitet në vijim. Qysh në buxhetin e vitit 2015, qeveria ka reflektuar strategjinë e saj për investimet, duke i zhvendosur fondet publike nga rrugët te portet dhe ujësjellësit. Fondet nga buxheti dedikuar infrastrukturës këtë vit janë 40.3 miliardë lekë nga 35 miliardë që janë programuar këtë vit. Ky fond, edhe pse në rritje, nuk shkon për rrugët. Më 2015 janë programuar të investohen gjithsej 21 miliardë lekë fonde të brendshme dhe të huaja në infrastrukturën rrugore, nga 23 miliardë lekë që ishin këtë vit. Ndërsa fondet dedikuar infrastrukturës portale dhe ujësjellësve janë në rritje. Transporti detar do tëfinancohet me rreth 1.2 miliardë lekë më 2015 nga 975 milionë lekë që janë fondet e këtij viti. Rritjen më të madhe të fondeve e ka marrë furnizimi me ujë. Fondi i vitit 2015 është rritur me gati 5 miliardë lekë ose 35 milionë euro më shumë se i këtij viti.
Në vitin 2012, shpenzimet kapitale kishin rënë në rreth 4.6% të PBB-së, niveli më i ulët në mijëvjeçarin e ri. Shpenzimet operative dhe për mirëmbajtjen ranë gjithashtu. Që nga viti 2008, rreth gjysma e shpenzimeve kapitale janë destinuar për transportin, nga të cilat mbi 95% shkuan për rrugë, duke lënë më pak se 5% për portet dhe më pak se 0,5% për hekurudhën. Shpenzimet për ndërtimin e rrugëve u rritën në vitin 2008 në 5.7% të PBB-së, duke reflektuar investime të mëdha në autostrada. Buxheti në drejtim të infrastrukturës është përkeqësuar edhe më shumë në 2013, kur u dhanë vetëm 23 miliardë lekë nga 33 miliardë lekë të akorduara në vitin 2013. Ndërsa në vitin 2015, pritet të akordohen jo më shumë se 21 miliardë lekë. Kompanitë Sallillari dhe Geci kanë shtrirje nëpjesëmarrjen e tyre, në fondet publike për ndërtim ujësjellësish.
Rrugët, çfarë ka mbetur
Rrjeti rrugor shqiptar shtrihet në gjithsej 1800 kilometra, nga të cilat 3600 kilometra janë rrugë nacionale. Ekspertët në Ministrinë e Transportit vlerësojnë se, vlera e segmenteve rrugore kombëtare i kalon të 5 miliardë eurot. Më shumë se gjysma e kësaj vlere është investuar, por projektet e reja dhe ato në proces pritet të gjenerojnë miliarda të tjera për kompanitë e ndërtimit. E parë nga një perspektivë afatgjatë, biznesi i ndërtimit të rrugëve nuk është pa të ardhme. Me investimet më shumë se 1.3 miliardë të bëra pas vitit 2005, ku pjesa më e madhe shkoi për Rrugën e Kombit, tashmë dy të tretat e rrugëve kombëtare kryesore dhe gjysma e rrugëve kombëtare dytësore janë në gjendje të mirë, me një përmirësim të dukshëm që nga viti 2005.
Por, sipas një studimi të Bankës Botërore, mësohet se 31% e rrjetit kombëtar të rrugëve dhe më shumë se 49% e sektorit dytësor janë jokonform standardeve, ndërsa pjesa tjetër mund thuhet se është në gjendje të mirë. Edhe pse në periudhën afatmesme fondet do të jenë gjithnjë e më të pakta për ndërtimin e rrugëve të reja, një dosje e re me nevojat infrastrukturore e bërë gati nga Ministria e Transportit kërkon më së paku 2.5 miliardë euro financime të reja. Strategjia është gati dhe në themel të saj janë Korridori Blu, një autostradë përgjatë bregut nga Velipoja në Butrint. Kryeministri Rama e prezantoi këtë projektide në Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, si një nga projektet që mund të financohet nga Bashkimi Europian në kuadër të integrimit me financime nga IPA. Rruga e Arbrit synohet që të realizohet me një model të ri financimi, me partneritet publik dhe privat të propozuar nga një kompani kineze.
Në periudhën afatmesme janë në plan për t’u realizuar rrugët Qukës-Qafë Plloçë, By Pass-i Vlorë, si dhe të finalizohet Boshti i Jugut. Anëtarësimi në Bashkimin Europian duket se do të sjellë një perspektivë tjetër për investimet në rrugë. Rritja e përdorimit të makinave për banorë që në Shqipëri është ende në nivele të ulëta edhe në krahasim me rajonin do të kërkojë investime të tjera në zgjerimin e akseve ekzistuese. /Monitor
Më të lexuarat








