
Prokurimet publike, ndryshojne rregullat e konkurrimit, hiqet garancia 2 per qind
Ndryshon përbërja dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik (KKP). Në projektligjin e paraqitur nga qeveria këto ditë, bie në sy edhe ashpërsimi i gjobave për kundërvajtjet administrative të pjesëtarëve të autoriteteve të kontraktimit.
Me marrjen e ankesës së ankimuesit për në Komisionin e Prokurimit Publik, autoriteti kontraktor mban të pezulluar procedurën e prokurimit publik dhr ia dërgon Komisionit të gjithë informacionin që disponon për procedurën e prokurimit të ankimuar, jo më vonë se 5 ditë. APP verifikon zbatimin e procedurave të prokurimit pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit, por, në çdo rast, jo më vonë se 2 vjet nga nënshkrimi i saj.Sipas draftit, të pestë anëtarët duhet të jenë juristë, me arsim të lartë në drejtësi, pasi në thelb funksioni i anëtarit të KPP-së është vlerësimi i procedurave të tenderit përmes interpretimit të legjislacionit për prokurimin publik.
Gjobat
Në ligjin aktual, në pjesën “Kundërvajtjet administrative” propozohet të bëhen disa ndryshime në drejtim të penalizimit të personave përgjegjës që kanë kryer shkelje të dispozitave të këtij ligji. Një nga procedurat e prokurimit, të parashikuara në ligj, është procedura “Me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, rastet e përdorimit të së cilës janë të kufizuara. Përdorimi në mënyrë abuzive dhe të pajustifikuar nga autoritetet kontraktore i kësaj lloj procedure prokurimi duhet të penalizohet maksimalisht.
Duke marrë në konsideratë faktin se në ligjin aktual penalizimi në këtë rast nuk është i përcaktuar qartë, propozohet dhënia e masës administrative nga 100 000 deri në 1 000 000 lekë për autoritetet kontraktore. Vendosja e kësaj mase penalizuese do të sillte frenimin e autoriteteve kontraktore në përdorimin e në mënyrë abuzive dhe të pajustifikuar të procedurës së prokurimit me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit, si një procedurë prokurimi, e cila nuk u jep mundësi ofertimi të gjithë operatorëve ekonomikë të interesuar.
Po kështu, propozohet të shtohet si masë penalizuese dënimi me gjobë, në masën nga 50 000 deri në 500 000 lekë, për mospërmbushje të detyrimeve për hartimin e kritereve të pranimit nga autoriteti kontraktor. Synimi i këtij propozimi është të shmangë vendosjen e kritereve abuzive të kualifikimit nga autoritetet kontraktore, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të interesuar. Kurse, në pjesën “Sanksionet për mosbashkëpunim” të ligjit në fuqi, propozohet të bëhet një parashikim në mënyrë më të qartë i penalizimit të rasteve të refuzimit të autoritetit kontraktor për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik dhe Agjencinë e Prokurimit Publik, ku ngarkohet me përgjegjësi titullari i autoritetit kontraktor dhe dënohet nga këto institucione me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë. Por, propozohet edhe një lehtësim. Një masë e tillë rishikimi i kufirit minimal të gjobave, duke marrë në konsideratë vlerën e fondit limit të procedurave të prokurimit, e cila mund të jetë dhe vlerë minimaliste dhe parashikimet e penalizimit në ligjin aktual parashikojnë vlera të larta në raport me atë të fondit limit të tenderit.
Kufizohen “tenderët pa garë”
Në pjesën “Procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” të ligjit në fuqipropozohet të shfuqizohet rasti i përdorimit për kontratat që do të prokurohen në bazë të një marrëveshjeje kuadër, si një mundësi abuzimi nga autoritetet kontraktore. Kjo procedurë nuk kërkon njoftim publik dhe si e tillë kufizon dhënien e informacionit për operatorët ekonomikë të interesuar, për pasojë, dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e prokurimit. Në këto kushte, synohet që rastet e përdorimit të kësaj lloj procedure në ligj të jenë të kufizuara dhe të mirëpërcaktuara.
Nga ana tjetër, tenderi “Me negocim” nuk përcaktohet si procedurë, me të cilën mund të lidhet një kontratë e dalë nga marrëveshja kuadër.
Për kontratat publike, autoritetet kontraktore mund të lidhin një marrëveshje kuadër pas kryerjes së një procedure të hapur, të kufizuar, kërkesë për propozim, shërbim konsulence apo me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, ndërsa për kontratat sektoriale, autoritetet kontraktore mund të lidhin një marrëveshje kuadër, edhe pas kryerjes së një procedure me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit.”.
Hiqen “pengesat” për studiot projektuese
Në procedurat e “Konkurseve të projektimit” hiqet kufizimi për kontratat me vlerë mbi kufirin e ulët, duke lënë mundësinë e përdorimit të kësaj procedure për çdo lloj vlere, nisur nga fakti që procedura “Konkurs projektimi” lidhet me natyrën dhe specifikën e shërbimeve (të një natyre estetike) dhe jo vlerat e kontratave. Heqja e vlerës monetare në përdorimin e procedurës së prokurimit “Konkurs projektimi” do t’i hapte rrugë përdorimit të kësaj procedure në çdo rast kur kërkohet të përftohen nga autoritetet kontraktore studime ose projekte vetëm me natyrë estetike. Pra, përdorimi i procedurës së prokurimit “Konkurs projektimi”, nëpërmjet këtij ndryshimi, nuk lidhet ekskluzivisht me vlerën monetare, por me natyrën estetike të studimit ose projektit që kërkohet të realizohet.
Avokatët dhe ekspertët
Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara në pjesën “Përjashtimet e veçanta” të ligjit në fuqiparashikohen si raste përjashtimore, pa tender, shërbimet e avokatëve të caktuar kryesisht, si dhe ekspertizës për nevoja të procedimit penal, rregulluar sipas Kodit të Procedurës Penale. Sipas relacionit të qeverisë, praktika e deritanishme ka treguar për pamundësi të zhvillimit të procedurave të prokurimit për këto lloj shërbimesh. Pagesa për këto lloj shërbimesh do të bëhet sipas tarifave të përcaktuara me vendim të posaçëm./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








