Secondary Adv

Qeveria 125 mln ne dispozicion, Peleshi: Ftojme bashkite te aplikojne per projekte

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi bëri me dije se rreth 125 milionë dollarë janë vënë në dispozicion të planeve dhe projekteve të bashkive, për zhvillimin e qyteteve për vitin 2015.

 

Ai u bëri thirrje krerëve të bashkive që të aplikojnë për projekte që do të ndikonin në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Këto deklarata ai i bëri nga qyteti i Korçës në aktivitetin e katërt të Forumit Urban, i cili po shtrihet në të gjithë Shqipërinë. “ Ky debat i shërben zhvillimit dhe rilindjes së qyteteve. Është koha të zhvillojmë diskutimet publike. Ky forum mbledh së bashku aktorët e zhvillimit dhe ka si slogan rilindjen e qyteteve të bashkëjetesës komunitare.


Por zhvillimi urban nuk duhet të neglizhojë trashëgiminë. Për vitin 2015, qeveria ka vënë në dispozicion rreth 125 milionë dollarë në shërbim të projekteve të bashkive dhe zhvillimin e vendit. Jemi duke inkurajuar bashkitë të aplikojnë për projekte jo vetëm infrastrukturore, por për zhvillimin në tërësi urban”, -u shpreh Peleshi gjatë fjalës së tij.


Gjithashtu ai tha se duhet të rishikohet alokimi i burimeve për nevojat e qyteteve. Sipas tij investimet në njësitë bashkiake, nuk janë investime kozmetike, siç i quan Partia Demokratike, por këto projekte ndihmojnë që të krijohet një mjedis tregtar më i favorshëm për qytetet. Banorët do kenë më shumë arsye për të qëndruar në shtëpitë e tyre, pa pasur nevojën që të migrojnë apo emigrojnë në vende të tjera.
“Qytetet larg metropolit po kalojnë një periudhë depresive, sepse banorët nuk besojnë tek e ardhmja e këtyre qyteteve dhe shumë largohen. Duhet të gjenerojmë optimizëm, optimizmi buron nga kreativiteti. Misioni ynë nuk është të mos bëjmë më keq, misioni ynë të fillojmë edhe bukur, do të thotë të jemi kreativë, të guxojmë të provojmë edhe nëse gabojmë”, -tha Peleshi.


Më të lexuarat