Tirana zgjeron rrjetin e korsive te dedikuara per bicikletat
Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se ndërtimi i korsive të reja ka sjellë trefishimin e përdoruesve në kryeqytet.
“Jam i lumtur me mënyrën si po shpërndahet me shpejtësi të jashtëzakonshme i gjithë rrjeti i biçikletave në Tiranë. Falenderoj shumë kolegët e ambasadës holandeze që kanë dizenjuar një rrjet inxhinierik, i cili do t’i japë qytetit korsitë minimale të paktën brenda Unazës dhe besoj se nëse numrat vazhdojnë e rriten, siç janë rritur këto kohë, ku është trefishuar numri i atyre që përdorin biçikletat qoftë mobike apo biçikletat e tyre private, them se Tirana është në rrugë të mbarë”, tha Veliaj. Ai premtoi më shumë hapësira të dedikuara për këmbësorët, ndërsa theksoi se rikthimi i biçikletave do të shpëtojë kryeqytetin nga trafiku.
“Nëse projektojmë e ndërtojmë për këmbësorë, do kemi këmbësorë, siç është sheshi ‘Skënderbej’ apo Pazari i Ri apo këndi i lojrave; nëse projektojmë e ndërtojmë për biçikleta, do kemi më shumë për biçikleta, e nëse ndërtojmë për makina do kemi më shumë makina. Do të thotë që pjesa tjetër duhet ndarë në mënyrë demokratike mes atyre që kanë biçikleta dhe këmbësorëve. Kjo është një përpjekje për t’i qëndruar reputacionit të Tiranës, e cila po merr çmime pothuajse çdo javë për ndryshimet që po bën” tha Veliaj. Brenda një kohe të shkurtër, Bashkia e Tiranës do të përfundojë dhe lidhjen e korsisë së biçikletave nga zona e “21 Dhjetorit” me “Vasil Shanton”, “Zogun e Zi” e deri te Pallati me Shigjeta, duke përmbyllur edhe një cikël të madh që është rreth 12 km. Por, projekti nuk do të ndalet me kaq, pasi ai do të vijojë edhe vitin e ardhshëm me të tjera kilometra të dedikuara për qytetarët që preferojnë të lëvizin me biçikletë./Shqip