
Lista me 15 kryekomunaret qe nuk paguajne energjine
Shumë krerë komunash me shumë shtëpi dhe biznese nuk paguajnë faturat e energjisë qysh nga viti 2009. Kjo nuk ka të bëjë me gjendjen e tyre ekonomike, por vetëm me statusin që gëzojnë në krahinat ku qeverisin. Asnjë person nuk do të guxonte t’u priste energjinë kryetarëve të komunave, që me detyrimet e tyre personale i kanë krijuar OSHEE-së një gropë prej rreth 640 milionë lekësh. Sipas të dhënave të sistemit online të OSHEE-së, faturat e energjisë të papaguara datojnë qysh nga muaji janar 2009.
Kreu i Lazaratit
Kryetari i Komunës Lazarat, Dasho Aliko, ka rreth 149 milionë lekë borxhe të papaguara të energjisë elektrike për dy kontrata. Ai është i pari i toplistës së pushtetarëve vendorë, detyrimet personale të të cilëve shkojnë në rreth 637 mijë dollarë të prapambetura. Aliko në njërën faturë përmbledhëse (në atë të shtëpisë), ka më pak detyrime, por e ka “lënë pas dore”. Kështu, Aliko nuk ka shlyer faturat e energjisë së konsumuar në shtëpi qysh nga janari 2009. Në vitin 2010, më 26 shkurt paguan vetëm një faturë dhe vitet e tjera janë të bardha në shtyllën e pagesave.
Në faturën tjetër, atë të lokalit, ka shuma mujore të konsumit që e kalojnë milionin, por ka edhe fatura 5-milionëshe. Për lokalin, Aliko ka qysh nga maji 2009 që nuk ka paguar detyrimet për konsumin e energjisë. Ai ka paguar dy fatura të veçanta mujore, në 2011 dhe në 2012 përmes një banke. Më vonë në fillim të këtij viti ka rinisur të paguajë, por e ka vazhduar më tepër se 6 muaj, duke preferuar të risë borxhin.
Lista me 15 borxhlinj
Sipas informacionit të OSHEE-së, debitorët me “imunitet” lokal, janë 15 kryetarë komunash në të gjithë vendin. Dasho Aliko ndiqet në listë nga kryetari i Komunës Vllahinë, Gëzim Hoxha, i cili figuron në sistemin elektronik të OSHEE-s, me 7 kontrata të lidhura me OSHEE-në nga të cilat borxhi i grumbulluar deri më 13 dhjetor 2014 arrin mbi 7.6 milionë lekë. Po kështu, kryetari i Komunës Rrashbull në Durrës, Hysen Gashi, ka dy kontrata energjie ku rezulton me detyrime të prapambetura në shumën rreth 7.1 milionë lekë. Ndërsa kryetari i Komunës Kolsh, Abedin Uruci, duhet të paguajë në sportelin e OSHEE-së mbi 2 milionë lekë fatura të energjisë elektrike.
Gani Allushi, kreu i Komunës Zall Herr ka mbi 1 milion lekë fatura energjie të papaguara, po ashtu Adriano Shanani kryetari i Komunës Kurjan për katër kontrata është debitor në shumën e afro 1 milion lekëve. Edhe Lek Bibaj, kreu i Komunës Hajmel, i cili ka 740124 lekë fatura të papaguara dhe Pëllumb Thaçi, Komuna Gjinaj, me mbi 15 milionë lekë të papaguara OSHEE-së, renditen në këtë listë të zezë. Totali i faturave të energjisë të papaguara nga krerët e pushtetit vendor shkon rreth 640 milionë lekë.
Paralajmërimi
“Sot dua t’u bëj thirrje një numri skandaloz kryetarësh komunash, të cilët jo vetëm i kanë zhytur në borxhe ndaj OSHEE institucionet që përfaqësojnë, por janë personalisht debitorë, që nuk paguajnë energjinë elektrike të konsumuar në shtëpitë apo bizneset e tyre”, i ftoi drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela. “Zotërinjtë nuk duhet të fshihen pas imunitetit të të zgjedhurit nga populli, po të marrin përsipër përgjegjësinë e të vijnë të paguajnë”, tha Çela.
Sipas paralajmërimit të Çelës, nëse pagesat nuk do të bëhen edhe pas këtij apeli, jo vetëm do të kallëzohen në prokurori, por do t’i bëhet kërkesë qeverisë për shkarkimin e tyre pa asnjë dallim përkatësie politike, pasi kjo betejë nuk është mes partive, por mes qytetarëve të përgjegjshëm dhe abuzuesve të çdo lloji. “Janë jo pak, por 637 mijë dollarë, detyrim i prapambetur personal i kryetarëve të bashkive e komunave në rang vendi. Vetëm kryetari i Komunës Lazarat ka plot 147 mijë dollarë borxhe të papaguara të energjisë elektrike. Shpresojmë që kjo marrëdhënie e turpshme e këtyre zotërinjve me ligjin të marrë fund javën e ardhshme”, u shpreh Çela.
Ndërkohë, Çela njoftoi se javën e ardhshme, OSHEE do të hapë edhe 21 sportele të reja për të përballuar flukset në rritje të vazhdueshme të qytetarëve, siç u shpreh ai, të ndërgjegjësuar se loja e madhe me këtë pasuri kombëtare në kurriz të Kombit, shtetit e të atyre që paguajnë rregullisht, ka mbaruar. “Dua të veçoj dhe të përshëndes rastin e Rrethit të Tropojës, ku mesatarisht energjia e paguar ishte 3 milionë lekë të reja në muaj. Vetëm në 12 ditët e para të dhjetorit, në Tropojë janë arkëtuar 26 milionë lekë të reja”, solli këtë shembull Çela. Sipas drejtorit të OSHEE-së, kjo tregon se edhe në Qarkun e Tropojës ku pagesa e energjisë ishte në nivelin më të ulët, sot kemi një situatë të re me qytetarë të cilët po i bashkohen kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare në të mirë të vendit. “Nga ana tjetër, jemi të detyruar të bëjmë publike fakte tronditëse që flasin për degjenerimin e shtetit, sidomos vitet e fundit”, tha Çela duke iu referuar mosshlyerjes së detyrimeve nga krerët e komunave.
Lista me Kryetarët e komunave që nuk paguajnë energjinë
Dasho Aliko, Komuna Lazarat, 2 kontrata, detyrimi 14909080.06 lekë
Gëzim Hoxha Komuna Vllahinë, 7 kontrata, 7 628 517 lekë
Hysen Gashi Komuna Rrashbull, 2 kontrata, 7 192 145 lekë
Abedin Uruçi Komuna Kolsh 2 kontrata 2 326070 lekë
Gani Allushi Komuna Zall Herr 2 kontrata, 1 378 767 lekë
Adriano Shabani Komuna Kurjan 4 kontrata, 987.820 lekë
Xhevat Molla Komuna Ana Malit 1.009.964 lekë
Feriz Hoxha Kumuna Bytyç 1.048.462 lekë
Pëllumb Thaçi Komuna Gjinaj 1.563.013 lekë
Halil Aliaj Komuna Surroj 993.579 lekë
Rrok Dodaj Komuna Qerret 972.883 lekë
Rahman Demaj Komuna Tërthore 815.769 lekë
Lek Bibaj Komuna Hajmel 740.124 lekë
Kujtim Gjoka Komuna Bushtricë 670.013 lekë
Ahmet Shira Komuna Kalis 660.509 lekë
Nuk i shlyejnë që nga 2007-a
Nëse do të merrnim për bazën vjetërsinë e faturave të papaguara të energjisë elektrike, sigurisht të parët në listë janë Xhevat Molla, Pëllumb Thaçi, Abedin Uruçi, të cilët nuk paguajnë qysh nga janari i vitit 2007. Rrahman Demaj, kreu i Komunës Tërthore nuk paguar qysh në janar 2007. Ai ka nisur të paguajë muajt e fundit, por borxhi që i ka kaluar vitet ka mbetur pa lëvizur. Po kështu ka vepruar edhe Kujtim Gjoka, kreu i Komunës Bushtricë.
Dasho Aliko
Për energjinë e konsumuar në shtëpi, Dasho Aliko, kreu i Komunës Lazarat ka paguar vetëm një faturë, janarin e 2010-s. Shtylla e pagesave ka mbetur bosh me vite. Për lokalin shuma mujore e konsumit shkon 5 milionë lekë.
Gëzim Hoxha
Kryetari i Komunës Vllahinë, Gëzim Hoxha, figuron në sistemin elektronik të OSHEE-s, me 7 kontrata të lidhura me OSHEE-në nga të cilat borxhi i grumbulluar deri më 13 dhjetor 2014 arrin mbi 7.6 milionë lekë.
Hysen Gashi
Kryetari i Komunës Rrashbull, Hysen Gashi, ka dy kontrata të energjisë ku rezulton me detyrime të prapambetura në shumën rreth 7.1 milionë lekë. Ai ka qysh në vitin 2009 që nuk i paguan faturat e energjisë së konsumuar.
Abedin Oruçi
Ndërsa kryetari i Komunës Kolsh, Abedin Uruçi, duhet të paguajë në sportelin e OSHEE-së mbi 2 milionë lekë fatura të energjisë elektrike. Gani Allushi, kreu i Komunës Zall Herr ka mbi 1 milion lekë fatura energjie të papaguara.
Shabanaj dhe Thaçi
Adriano Shanani, kryetari i Komunës Kurjan disponon katër kontrata dhe është debitor në shumën e afro 1 milion lekëve. Ndërsa Pëllumb Thaçi, Komuna Gjinaj, ka mbi 1.5 milionë lekë të papaguara OSHEE-së./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








