
Kush paguhet me shume ne Shqiperi? Ja sektoret ku drejtuesit shqiptare paguhen me shume
Ndërsa vitet 2008-2010 konsiderohen si një periudhë lulëzimi në tregun shqiptar të punës, me kërkesë të lartë për ekzekutivë e rrjedhimisht paga të larta, situata është përmbysur pas 2010-s, teksa ekonomia vendase u ngadalësua ndjeshëm nga kriza.
“Në ato kohë ka pasur negocime mjaft tëmira, që ekzekutivët kanë bërë për nivelet e shpërblimeve të tyre, që s’mund t’ikesh tashmë, thotë për “Monitor”, znj. Pranvera Papamihali, menaxhere për Shqipërinë në kompaninë e kërkimit të ekzekutivëve, Pedersen & Partners. “Ato nivele shpërblimi që janë kapur dikur, është thuajse e pamundur të arrihen tani. Ka shumë ofertë dhe sado që një ekzekutiv të këtë investuar për karrierën apo formimin arsimor, vjen një moment, që të gjithë jemi mbajtës të familjeve respektive dhe kjo do të reflektohet edhe në uljen e kërkesave financiare që ekzekutivët do të kenë”, thotë ajo.
Znj.Papamihali liston dhe arsyet kryesore që kanë çuar në këtë ndryshim tendence.
Së pari nuk ka hyrje të reja. Kompanitë e huaja, që investojnë nëShqipëri, në mënyrë krejt të natyrshme, do të sillnin edhe një zhvillim në tregun e punës, sepse do të krijonin frymëmarrje dhe hapësira për ekzekutivët për të lëvizur nga një kompani në tjetrën, kundrejt një shpërblimi më të lartë. Kjo mungesë e hyrjes së investimeve të huaja është reflektuar edhe në tregun e punës, duke krijuar një disbalancë mes kërkesës dhe ofertës.
“Ajo që po ndodh është një rritje e ofertës së ekzekutivëve, e cila vjen si rrjedhojë e mbylljes së kompanive, uljes së rrogave, shkurtimit të stafit. Kjo automatikisht ka shtuar individët të cilët janë në kërkim, ndërkohë që, nga ana e kompanive, kërkesa është pothuajse zero, duke i shtuar edhe faktin që s’ka hyrje të reja.Fjala kyç tashmë është stabilitet dhe jo një shpërblim i lartë”, thotë ajo.
Sektorët më të paguar
Nga bankat dhe telekomunikacionet, që deri pak vite më parë ishin më të paguarat, vendin e parë tashmë e kanë zënë nafta, gazi dhe energjia (hidrocentralet e mëdha). “Kompanitë e mëdha të naftës ofrojnë një lloj standardi në mënyrën se si i kompensojnë ekzekutivët”, thotë Papamihali. Bankers Petroleum, Petromanas-Shell janë dy sipërmarrjet kryesore në këtë fushë. Pagesat për ekzekutivët me kombësi shqiptare, përfshirë bonuset, variojnë në këtë sektor në 6000-7000 euro në muaj.
Bankat kanë qenë historikisht të paguara, por vitet e fundit ky sektor nuk ka shënuar rritje të pagave, sipas Papamihalit, për shkak të mjedisit relativisht të dobët. Nuk ka ndryshime të ekzekutivëve dhe as blerje të jashtme, elemente këto që do t’i jepnin më shumë vlerë të punësuarve në pozicione drejtuese në këtë segment. Pagesat e drejtuesve në sistemin bankar variojnë në 6000-7000 euro në muaj, duke përfshirë bonuset (pa bonuset niveli zbret në rreth 5000 euro në muaj). Bëhet gjithnjë fjalë për drejtuesit me kombësi shqiptare në pozicione zëvendësdrejtorësh (përgjithësisht në banka drejtuesit janë të huaj).
Pagesat në nivelet drejtuese në telekomunikacione luhaten në nivele të ngjashme me bankat, 5000-7000 euro në muaj (personel shqiptar si chief officier, marketing etj.), teksa nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme vitet e fundit. Zyrat e huaja tëfarmaceutikës janë një tjetër sektor i mirëpaguar, thotë znj.Papamihali, qëi paguajnë drejtuesit shqiptarë në 4000 euro në muaj.Pagat e distributorëve lokalë në këtë segment nuk janë në nivelet e përfaqësive të huaja.
Më pak të paguar janë ndërtimi dhe znj.Papamihali veçon tregtinë me pakicë (zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve), që nuk kanë nivele të larta për pozicionet ekzekutive. “Është tregu në përgjithësi qëështë në këto niveli. Nuk ka pasur hyrje të korporatave të mëdha dhe kjo është reflektuar dhe në paga”, thotë ajo. Për momentin, energjia mbetet sektori me më shumë kërkesë për nivele të larta drejtuese aktualisht, së bashku me infrastrukturën. Bankat dhe telekomunikacionet nuk janë në ditët e tyre më të mira.
Pagesat mujore për nivele drejtuese të shqiptarëve në disa sektorë:
-nafta, gazi dhe energjia (hidrocentralet e mëdha): 6000-7000 euro
-bankat 5000-7000 euro
-telekomunikacionet 5000-7000 euro
-Farmaceutika 4000 euro
Diferenca të mëdha mes kompanive të huaja dhe vendase
Paga mesatare e ekzekutivëve në Shqipëri mund të jetë shumë e ndryshme në varësi të kompanisë, vendndodhjes dhe industrisë. Kompanitë ndërkombëtare i paguajnë ekzekutivët në nivele më të larta krahasuar me ato lokale. Gjithashtu, sistemi i tyre i bonusit dhe benefiteve është i përcaktuar në mënyrë shumë më transparente dhe logjike se në kompanitë lokale. Gjatë 2–3 vitevetë fundit, paga mesatare vjetore për një ekzekutiv të nivelit të lartë në një kompani ndërkombëtare, duke përfshirë bonuset afatshkurtra, ka variuar nga 39 000 deri në 52 000 euro, ndërsa në kompanitë lokale, të njëjtat pozicione paguhen me 24 000 deri në 36 000 euro.
Për më tepër, madhësia e kompanisë në Shqipëri, ashtu sikurse edhe profitabiliteti i tyre nuk është faktor vendimmarrës për nivelin e rrogave, sidomos duke pasur parasysh mundësinë për rritje, veçanërisht në kompanitë lokale. Por është fusha e përgjegjësive dhe lloji i pozicionit që përcaktojnë një ekzekutiv të mirëpaguar nga dikush tjetër me nivel page më të ulët, sipas një studimi tëPedersen & Partners.
Gjithashtu, ekziston një ndryshim i madh ndërmjet pagave të ekzekutivëve të lartë që punojnë në Tiranë dhe atyre në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët paguhen në nivele shumë më të ulëta. Pagat e ekzekutivëve të lartë në Shqipëri nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim madhor gjatë dy-tre viteve të fundit, veçanërisht si pasojë e vështirësive ekonomike, të cilat i kanë detyruar kompanitë të ruajnë të njëjtat nivele page, e disa të tjera të mbyllin aktivitetin e tyre, shkurtojnë numrin e stafit, apo të ulin nivelin e pagave.
Ndryshimi mes pagesave të ekzekutivëve në kompanitë lokale dhe atyre ndërkombëtare në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore shkon deri në 30%, ndërsa në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore është deri në 10%. “Sa më i zhvilluar një vend, aq mëi vogël është ndryshimi”, thotë Papamihali.
Ky ndryshim i pagesës vlerësohet se ndikon dhe në performancën e kompanive vendase në raport me të huajat. “Për sa kohë që burimet njerëzore, sidomos pozicionet menaxheriale janë kyç, në arritjen e një rezultati, kjo përbën një lloj dizavantazhi, në arritjen e rritjes së performancës në biznes, pasi pjesa e pagesës dhe shpërblimitështë një nga arsyet se pse ekzekutivët po lëvizin nga një kompani në tjetrën”. Megjithatë, ka dhe elemente të tjera që ndikojnë në performancën e kompanisë, si strategjitë që ndiqen në treg, apo marketingu, por burimet njerëzore mbeten ndër më të rëndësishmit, sidomos pozicionet manaxheriale.
Në terma kohorë, në kompanitë lokale, ekzekutivët kanë një largim më të lartë se sa në kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Ndërsa te këto të fundit, tentohet të ketë një lloj “status quo-je” sepse ka të bëjë edhe me mundësitë që ekzekutivët gjejnë aty. “Sa do që një ekzekutiv kërkon të lëvizë, për sa kohë që tregu s’ia ofron këtë gjë, ai pret mundësinë më të mirë. Në kompanitë lokale, ky trend është më i shpeshtë, tundohen më tepër nga elemente si rroga”, thotë Papamihali.
Sipas saj, çfarë konsiderohet si një periudhë e shëndetshme e lëvizjeve nga një kompani në tjetrën është 4 vite e lart. “Kjo është mirë, si për individin ashtu edhe për kompaninë. Nga ana e kompanisë kjo do të thotë se sjellja e “gjakut të ri” sjell një mentalitet ndryshe të të bërit të gjërave, që normalisht ndikon në rritjen e performancës. Nga ana tjetër, për individin, kjo tregon një lloj ambicieje, dëshirë dhe guxim për të rrezikuar për të dalë jashtë asaj që quhet “zona e komfortit”, që jo gjithmonë lidhet me performancën e individit, por shpeshherë lidhet me kompaninë për të cilën punon”.
Preferohen drejtuese femra
Papamihali pohon se në Shqipëri po rritet gjithnjë e më tepër trendi, sidomos i kompanive ndërkombëtare, të cilat kërkojnë femra në pozicione ekzekutive. “Femrat janë më punëtore, janë shumë më të përkushtuara, tentojnë shumë më pak drejt korrupsionit. Ne femrave për të shkëlqyer, na është dashur dyfishi i punës të një mashkulli. Pra në qoftë se meshkujt e kanë pasur disi më të lehtëpër t’u bërë liderë, ne femrave na është dashur të përpiqemi dyfishin ose trefishin e meshkujve”.
Më të lexuarat








