ARRSH hap tenderin me vlere 249.9 mln leke – 8 akset ku do te nderhyhet
Tetë akse rrugore Kombëtare dhe të Rajonit Jugor do të pajisjen së shpejti me sinjalistikë rrugore bashkëkohore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat e tenderimit për përmirësimin e sinjalistikës në këto segmente rrugore, ku fondi limit i përcaktuar për këtë investim kap vlerën e 249.9 milionë lekë. Konkretisht, do të përmirësohet sinjalistika në akset:
Përmet-Carshovë-3 urat (Dogana)
Fier – Ballsh
Poshnje (Berat) – Roskovec
Këlcyrë – Përmet
Voskop – Voskopojë
Zemblak – Liqenas – Gorica (Dogana)
Cermë (Lushnje) – Divjakë
Boboshticë – Dardhë
Nga ekzaminimet e kryera problematike në këto akse kanë rezultuar vijëzimet, tabelat rrugore si dhe barrierat metalike. Nisur nga kjo, ndërhyrjet parashikojnë aplikimin e vijëzimeve në gjithë gjatësinë e rrugëve të përfshira në projekt, vendosjen e barrierave si dhe tabelave detyruese, treguese dhe paralajmëruese. Po ashtu, krahas tyre do të bëhet gjithashtu edhe vendosja e elementëve të tjerë shtesë të sigurisë rrugore. Përmirësimi i sinjalistikës është një ndër elementët kyç të planit të strategjisë kombëtare të sigurisë rrugore për t’iu afruar objektivit të vendosur për vitin 2020 për reduktimin e aksidenteve rrugore. 27 gusht 2018 është edhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë, ndërsa grafiku i punimeve parashikon një kohështrirje prej 9 muajsh./Scan