Materialet e ndertimit, kryesojne listen e mallrave te importuara ne 6 mujorin e pare
Qymyri koks dhe materialet e ndërtimit kryesojnë listën e mallrave të importit, që kanë mbërritur në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-qershor 2018.
Ndërkaq, afro 100 mijë ton çimento e prodhuar në vend është eksportuar me anije nga Durrësi në drejtim të vendeve të tjera. Rreth 308 mijë ton mallra të tjerë janë ngarkuar në anijet e specializuara dhe janë nisur për eksport në portet e tjerë të Mesdheut. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës (APD), mësohet gjithashtu se në Durrës gjatë këtyre 6 muajve janë shkarkuar 130 mijë ton qymyr koks.
39 mijë ton të tjera ku përfshihen pleh kimik, nitrat dhe ure’ kanë mbërritur në Durrës me anije. Më pas renditen llamarina dhe hekuri me 62 mijë ton gjithsej; 49 mijë ton çimento importi, e po ashtu edhe melamina me 29 mijë ton. 15 mijë ton xhama dhe 9 mijë ton blloqe mermeri bëjnë pjesë gjithashtu në listën e mallrave të importit gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018./ata