FSHZH publikon 6 skema te reja ujesjellesish ne Diber, Klos, Tropoje e Lezhe
Rreth 17 mijë banorë në 26 fshatra të bashkive Dibër, Mat, Klos, Tropojë dhe Lezhë do të përfitojnë nga ndërtimi i 6 skemave të reja të ujësjellësve ruralë.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, punimet për ndërtimin e tyre do të nisin në vjeshtë të këtij vitit, pasi tenderi i punimeve është shpallur. Ujësjellësit e rinj janë planifikuar të ndërtohen n njësitë administrative Qendër Tomin – Bashkia Dibër, Komsi – Bashkia Mat, Llugaj dhe Tropojë – Bashkia Tropojë, Kallmet – Bashkia Lezhë dhe Gurrë, Suç – Bashkia Klos. Projekti përfshin ndërtimin e linjave të reja të furnizimit, rrjetit shpërndarës, ndërtimin dhe rikonstruksionin e rezervuarve dhe komponentë të tjerë të infrastrukturës.
Sipas FSHZH-së, investimi do të sigurojë qëndrueshmëri duke plotësuar nevojat e banorëve gjatë gjithë vitit për një kërkesë për ujë prej 120 lit/banorë. Ndërkohë, të gjithë konsumatorët do të pajisen me matësa uji. Investimi është pjesë e projektit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III”, që parashikon ndërhyrje në shkallë të gjerë në zonat rurale të vendit duke siguruar furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë pa ndërprerje. Projekti bashkëfinacohet nga qeveria shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit./Scan