Secondary Adv

Transporti ajror – 1.6 milione pasagjere per shtate muaj

Numri i pasagjerëve në transportin ajror u rrit sërish gjatë muajit korrik duke shënuar një fluks të madh turistësh gjatë këtij sezoni. 

 

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i pasagjerëve arriti në 346 mijë, me një rritje 18% krahasuar me një vit më parë. Për shtatë muajt e parë të vitit, nga Aeroporti i Tiranës kanë udhëtuar 1.6 milionë pasagjerë me një rritje prej 14.4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Tregu i transportit ndërkombëtar ajror të pasagjerëve po rritet për të shtatin vit radhazi, i mbështetur edhe nga tendenca pozitive e turizmit hyrës dhe dalës. Të dhënat e Instat treguan se për shtatë muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan 2.95 milionë shtetas të huaj, në rritje me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa daljet e shqiptarëve jashtë vendit arritën në 2.86 milionë, në rritje me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përveç kompanive ajrore, përfitime të mëdha nga rritja e tregut po merr kompania që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Tiranës arriti vitin e kaluar një fitim rekord prej 2.2 miliardë lekësh ose afro 18 milionë euro. Fitimi neto është rritur me 25% krahasuar me vitin 2016 dhe është më i larti i regjistruar gjatë periudhës së koncesionit. Pavarësisht nga rritja e tregut, ende nuk është bërë e mundur që në Shqipëri të kryhen fluturime ndërkombëtare nga një aeroport tjetër. Dy vjet pas heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare, në aeroportin e Kukësit ende nuk është vënë dorë, ndërsa së fundmi kanë nisur procedurat për dhënien e tij me koncesion te operatorë privatë./Scan 


Më të lexuarat