Secondary Adv

Ne shkurt nis testimi per punonjesit e hipotekes

Ankesat e shumta të qytetarëve, lidhur me punën burokratike dhe korrupsionin në zyrat e rregjistrimit të pasurive (Hipoteka), ka shtyrë ministrin e Drejtësisë të fusë të gjithë administratën e këtij institucioni në provim. Testimit do t’i nënshtrohen dhe vetë kryeregjistruesit dhe nën/kryeregjistruesit e hipotekave, pasi prej shumë kohësh në adresë të ministrit Naço, kanë mbërritur shumë ankesa, lidhur me kryerjen e punës në këto shërbime.


Të gjithë punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do t’i nënshtrohet një testi në muajin shkurt të vitit që vjen. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka shpallur urdhrin për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për certifikimin e aftësive profesionale, të regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të testimit të aftësive profesionale të personelit të këtyre zyrave.


Urdhëri i ministrit
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka urdhëruar ditën e djeshme nisjen e procesit, të përcaktimit të kritereve dhe procedurave për çertifikimin e aftësive profesionale, të regjistruesve të hipotekave dhe të testimit të aftësive profesionale të personelit të këtyre zyrave. Në urdhër parashtrohet se kryeregjistruesi brenda datës 31 dhjetor 2014 duhet të hartojë dhe t’i propozojë për miratim Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kriteret dhe procedurat për çertifikimin e aftësive profesionale të këtyre punonjësve.


Në mars nis testimi
Më tej, brenda 60-ditëve nga miratimi i kritereve dhe procedurave, kryeregjistruesi duhet që të marrë masat e nevojshme për realizimin e testimit dhe çertifikimit të aftësive profesionale të të gjithë drejtuesve dhe punonjësve, sipas procedurës të miratuar. Ky afat përkon në fund të muajit shkurt 2015, dhe në fillim të marsit administrate t’i nënshtrohet testimit. Në urdhërin e ministrit të Drejtësisë është parashikuar edhe afati i daljes së rezultateve përfundimtare, të cilat duhet të bëhën me dije nga kryeregjistruesi brenda 30-ditëve nga kryerja e testimit.
Urdhëri i ministri Naço konfirmon deklaratën e tij të pak ditëve më parë, gjatë ceremonisë së finalizimit të projektit ALBSReP, ku ndër të tjera Naço njoftoi se përpos investimit në teknologji, do të investohet po kaq edhe në përmirësimin e aftësive profesionale të punonjësve të zyrave të regjistrimit. Sipas Naços asnjë teknologji e re moderne nuk mund të japë rezultatet e dëshiruara në rast se përdoret nga punonjës të pakualifikuar apo nga të tjerë nëpunës të cilët e keqpërdorin besimin e dhënë për kryerjen e detyrës.


Gjithashtu, kreu i drejtësisë shqiptare pak ditë më parë, vuri në dukje se në programin qeverisës, përpos përmirësimit të shërbimeve publike dhe verifikimit të cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit, është me rëndësi edhe rikthimi i nëpunësve të administratës në shërbyes të qytetarëve.


Shkarkimet
Në 4 dhjetor me urdhër të Ministrit Naço janë shkarkuar drejtorët e Tiranës, Vlorës dhe Lushnjës. Vendimi për shkarkimin e tre drejtuesve është marrë pasi një lumë ankesash kishin mbërritur në adresë të ministrit. Konkretisht, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive Vlorë është shkarkuar Ina Luçaj, në Tiranë, Andrea Mico dhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Lushnjës, Bledar Koçiu. Po shumë shpejt këta tre persona janë zëvendësuar me tre mera të tjerë.


Më të lexuarat