
Sistemi bankar shenon renien me te madhe ne 10 vjet
Sistemi bankar ka qenë shumë i zënë me proceset e shitblerjes në 6 muajt e parë të vitit, duke “lënë mënjanë” detyrat e tij.
Kredia për ekonominë mbetet e frenuar, teksa depozitat ishin në rënie për muaj radhazi, me përjashtim të qershorit. Fitimet shënuan stanjacion pas rritjes së fortë të vitit të kaluar. Sistemi bankar nuk ka arritur t’i kthehet rritjes në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos qenë në një linjë me përshpejtimin e rritjes ekonomike, që u zgjerua me 4.45% në tremujorin e parë të vitit, sipas INSTAT. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivet kanë shënuar rënien më të fortë të 10 viteve të fundit, sidomos në tremujorin e parë (e ndikuar dhe nga rënia e euros), kredia ka ngecur, depozitat janë në reduktim. Në kahun tjetër, treguesit e përfitueshmërisë ishin të qëndrueshëm, teksa huatë me probleme janë në rënie të vazhdueshme. Shitblerjet janë në kulmin e tyre dhe numri i bankave shumë shpejt pritet të reduktohet nga 16 në 14. Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e lartë të përdorimit të euros në ekonomi, të nisura në shkurt, kanë dhënë pak efekt në drejtim të kredisë, por jo tek tepozitat, ndërsa euro vijon të jetë e preferuara e kursimtarëve.
Aktivet, në rënie të fortë
Në fund të muajit qershor, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.43 trilionë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në raport me fundin e 2017-s, aktivet janë tkurrur me 1.3%, ose 18 miliardë lekë (reduktimi më i fortë ishte në tremujorin e parë me 13.5 miliardë lekë), duke shënuar rënien më të madhe që prej fundit të vitit 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një rrjedhje të depozitave si rrjedhojë e frikës së krizës financiare globale që shpërtheu në atë kohë. Efekt ka dhënë edhe zhvlerësimi i euros. Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative të aktiveve, apo të indikatorit që tregon se si i investojnë bankat paratë e depozituesve. E para është “Marrëdhënie me Bankën Qendrore”, teksa bankat kanë reduktuar paratë që mbajnë në institucionin monetar qendror me 24 miliardë lekë, në 6 muajt e parë të vitit. Së dyti, është zëri i “Veprimeve me klientët (bruto)”, i cili ka rënë me 19 miliardë lekë. Ky zë tregon ecurinë reale të kredisë për ekonominë, pasi është i zhveshur nga efekti i fshirjes së huave. Tkurrja e tij është e ndikuar më shumë nga rënia e huasë afatshkurtër. Kreditimi real për ekonominë po shënon rënie që nga tremujori i tretë 2017. Në të kundërt ka qenë tendenca e parave që bankat vendase vendosin jashtë në “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Ky zë është rritur me 13 miliardë lekë në 6 muajt e parë të 2018-s, në raport me fundin e 2017-s.
Kredia e frenuar
Stoku i huasë për ekonominë ka shënuar rënie në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos reflektuar aspak rritjen e vendit, që në tre muajt e parë të vitit, sipas INSTAT, u zgjerua me 4.4%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në muajin qershor zbriti në 530 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3 miliardë lekësh, apo 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm. Rënia ka qenë e pandalshme në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u tkurrur me 20 miliardë lekë. Kjo është tkurrja më e madhe historike, të paktën që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton statistikat e kredisë. Ky është niveli më i ulët i stokut të huasë për ekonominë, që prej tetorit të vitit 2011. Tkurrja në qershor ka ardhur si rrjedhojë e rënies së kredisë për korporatat publike, me 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e shlyerjes së overdraft të KESH në banka, pas lëvrimit të huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ndërsa në raport me fundin e 2017-s, tkurrja e kredisë ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë për bizneset, por edhe për individë. As stoku i kredisë në lekë për biznese nuk ka shënuar rritje, përkundrazi. Të vetmit që po preferohen për t’u kredituar nga bankat janë individët në monedhën vendase, kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Që prej shtatorit të vitit 2017, huaja për ekonominë po rezulton me rënie të ndjeshme. Bankat janë skeptike për të dhënë hua, teksa janë përqendruar në segmentin e mesëm dhe ankohen se mungojnë projektet e mira për të financiar. Arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e stokut janë fshirja e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, si dhe nënçmimi i euros. Edhe kredia e re për 6-mujorin është në rënie, me 3.1%, në raport me janar-qershor 2017, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ku në rënie ishin overdrafti dhe kapitali qarkullues në lekë, blerje pajisjesh në euro dhe blerje banesash në euro. Stoku i kredisë në valutë ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 50% të totalit në qershor 2018 (49.8%), nga 50.7% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Orientimi i bankave për të nxitur kredinë në lekë, duket se ka ndikuar në këtë tendencë./Monitor
Më të lexuarat








