Secondary Adv

Nis ndarja e shperblimeve per 598 mije pensioniste

Nga dje, mbi 598 mijë pensionistë do të tërheqin masën e shpërblimit. Fondi për pensionistët është 1,339 milionë lekë. Të gjithë ata pensionistë që kanë marrë pensionin, mund të tërheqin shpërblimin pas orës 14:00, çdo dite. Shpërblimet kanë filluar të shpërndahen që nga dita e djeshme.


Pensionistët do të tërheqin shpërblimet për fundvit me grafik shpërndarjeje. Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare kanë arritur një marrëveshje për shpërndarjen e shpërblimeve të pensionistëve. Sipas Drejtoreshës së ISSH-së, Vjollca Braho nga kjo marrëveshje përfitojnë 598.203 persona. Braho sqaron se të gjithë ata pensionistë që kanë marrë pensionin, mund të tërheqin shpërblimin pas orës 14:00, të çdo dite. Shpërblimet kanë filluar të shpërndahen nga dita e djeshme. Kjo shpërndarje, ashtu siç është deklaruar nga kryeministri i vendit, Edi Rama, është bazuar në vendimin nr. 861 të Këshillit të Ministrave, datë 17.12.2014.


Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e Postës Shqiptare, kudo nëpër Shqipëri, shpërblimin sipas kategorive të përcaktuar në këtë vendim, duke nisur nga dita e djeshme e deri më datën 30 dhjetor. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar grafikun, i cili do të mundësojë shpërndarjen deri në fund të dhjetorit. “Pensionistët së bashku me pensionin do të tërheqin edhe shpërblimin. Ata që kanë marrë pensionin, pas orës 14:00 mund të marrin shpërblimin”.


Gjithashtu nga ana e kreut të ISSH-së, bëhet e ditur se ata që se marrin shpërblimin deri më datën 30 dhjetor, mund ta tërheqin në ditët dhe muajt në vazhdim. Ndërkaq Drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi theksoi faktin se zyrat e Postës do të punojnë me orare të zgjatura deri në orën 20:00 të mbrëmjes në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi që të tërheqin shpërblimin. Ndërsa për ata pensionistë që e marrin në shtëpi pensionin bashkë me të, do të marrin edhe shpërblimin pa tarifë shtesë.


Si do të shpërndahen shpërblimet për pensionistët
Sipas grafikut, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 14:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 14:00 e deri në orën 20:00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit. Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, kanë marrë pensionin personat që kanë pasur datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 14:00 kanë marrë shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1 dhe 2 dhjetor. Ndërkohë, më 30 dhjetor do t’u jepet mundësia të gjithë atyre që nuk do të arrijnë ta tërheqin në datat e përcaktuara. Me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së shumës përkatëse për çdo kategori deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistët përpara festave të fundvitit.


Përfituesit
Drejtorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, deklaroi se, do ta përfitojnë shumën prej 2000 lekësh 344 382 persona që përfitojnë pensione urbane pleqërie, ose siç njihet, pension qyteti sëbashku me ata persona që marrin pension invaliditeti dhe familjar. Ndërsa janë, përkatësisht 149.691 persona që përfitojnë pensione fshati, pleqërie, invaliditeti e familjar; 11355 persona që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi; 4230 persona që përfitojnë trajtimin e veçantë financiar të ish-punonjësve të nëntokës dhe ishpunonjësve të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake. Ndërkohë, 81 mijë pensionistë kryefamiljarë të vetëm do të përfitojnë shpërblimin në masën 3000 lekë.
Ndërsa shuma prej 5 mijë lekësh do ta përfitojnë 7095 persona që trajtohen me shpërblimin si veteranë të luftës dhe invalidë të luftës. Në total, efektet financiare të këtij vendimi llogariten në 1,339 milionë lekë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson edhe njëherë se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet nëse nuk do të arrijë të tërheqë shpërblimin brenda këtyre datave, pasi do të mund të marrë atë edhe pas vitit të ri në datën që do të shkojë tërheq pensionin.


Grafiku i shpërndarjes
Në datën 22 dhjetor do ta marrin datat 1 dhe 2 dhjetor
Në datën 23 dhjetor do ta marrin datat 3, 4, 5 dhjetor
Në datën 24 dhjetor do ta marrin datat 8, 9, 10 dhjetor
Në datën 25 dhjetor do ta marrin datat 11, 12 dhjetor
Në datën 26 dhjetor do ta marrin datat 15, 16 dhjetor
Në datën 27 dhjetor do ta marrin datat 17, 18,19 dhjetor
Në datën 29 dhjetor do ta marrin datat 20, 21 dhjetor


Më të lexuarat