Secondary Adv

Taksat dhe tarifat e reja kombetare qe do te paguajme 2015

Çdo person i tatueshëm, subjekt i taksës dhe tarifës kombëtare apo çdo “agjent i taksës dhe tarifës kombëtare”, i ngarkuar nga ligji me mbledhjen e tyre, duhet të bëjnë një deklaratë për çdo muaj, jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të muajit për të cilin bëhet deklarimi.


Kjo bëhet duke plotësuar: formularin e deklarimit dhe pagesës së taksave kombëtare; formularin e deklarimit dhe pagesës së tarifave kombëtare; si dhe formularin e deklarimit dhe pagesës së taksës së rentës minerare. Deklarimi bëhet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Mosdeklarimi brenda datës 15 të muajit pasardhës, ndëshkohet me gjobë. Një nga agjentët tatimorë janë kapitaneritë e porteve. Në bazë të udhëzimit, të ministrit Shkëlqim Cani, “kapitaneria e porteve si agjente apo agjencitë detare shtetërore ose private të caktuara prej saj për mbledhjen e taksës portuale, detyrohen të deklarojnë dhe të bëjnë pagesën në administratën tatimore të taksës portuale të mbledhur”.


Taksa e qarkullimit
Sipas udhëzimit, taksa e qarkullimit për benzinën dhe për gazoilin caktohet në masën 27 lekë / litër për benzinën dhe 27 lekë / litër për gazoilin. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për benzinën dhe gazoilin e prodhuar në vend. Për produktin e importuar, subjekti e paguan taksën e qarkullimit pranë degëve doganore, ku kryhen procedurat e zhdoganimit, në momentin e kryerjes së këtyre procedurave.
Deklarimi dhe pagesa e taksës së qarkullimit në administratën tatimore, bëhet nga administrata doganore si agjente e përcaktuar nga ligji për mbledhjen e kësaj takse. Për benzinën dhe gazoilin e prodhuar në vend, deklarimi dhe pagesa e taksës së qarkullimit në administratën tatimore, bëhet nga çdo tatimpagues, prodhues i gazoilit dhe i benzinës në vend.


Taksa e makinave
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, si agjente e përcaktuar nga ligji për mbledhjen e kësaj takse, deklaron dhe paguan taksën e mjeteve të përdorura të transportit, në administratën tatimore. DPSHTRR-ja mban drejtpërsëdrejti vlerën e komisionit, gjithashtu llogarit dhe transferon për llogari të njësive të qeverisjes vendore shumën e të ardhurave që u takojnë këtyre nga taksa e mbledhur, si dhe deklarojnë e paguajnë në llogari të Drejtorisë Rajonale Tatimore, shumën e mbetur.”


Taksa e karbonit
Sipas udhëzimit, taksa e karbonit për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin, koksin e naftës, të importuar, paguhet në momentin e importimit, pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e zhdoganimit. Për këto produkte të prodhuara në vend, prodhuesit llogarisin detyrimin për taksën e karbonit dhe e deklarojnë në administratën tatimore.


Taksa e truallit shtetëror
Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim, personat juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë në drejtoritë rajonale tatimore.


Taksë mbi siguracionet
Taksa mbi primet e shkruara, e cila shtohet për herë të parë, vendoset mbi të gjitha sigurimet, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil. Taksa mbi primet e shkruara, është tre për qind e shumës së primit. Shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në rolin e agjentit janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë taksën mbi primin.


Përjashtimi
Sipas udhëzimit, përjashtohen nga taksa e makinës, personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm njëherë brenda një viti kalendarik ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë.


Gjithashtu përjashtohen nga taksa, mjetet e bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vërtetuara si të vjedhura nga organet e prokurorisë. Sipas udhëzimit të firmosur nga Cani, “Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Sasitë, kushtet dhe kriteret përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Deklarimi dhe pagesa e taksave e tarifave kombëtare për periudhën tatimore dhjetor 2014, bëhet brenda datës 15 janar 2015.

Taksat kombëtare
1. Taksa e qarkullimit
2. Taksa e karbonit
3. Taksa e ambalazheve të plastikës dhe të qelqit
4. Taksa për përdorimin e truallit shtetëror
5. Taksa e mjeteve të përdorura të transportit rrugor
6. Taksa portuale
7. Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit
8. Taksa e akteve dhe e pullës

Pagesat e tarifave kombëtare
1. Tarifa e pajisjes me leje drejtimi
2. Tarifa për përdorimin e aparateve televizive të Radiotelevizionit Publik Shqiptar
3. Tarifa për shërbime konsullore
4. Tarifa për shërbime që kryhen nga administrata gjyqësore, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria, noteria
5. Tarifa për shërbimet e transmetimit radioteleviziv
6. Tarifa e shërbimit të radiokomunikacionit
7. Tarifa për pajisjen me pasaportë lundrimi nga kapitaneritë e porteve
8. Tarifa e shërbimit për mjetet e huaja të transportit të mbi 20 udhëtarëve përfshirë drejtuesin, si dhe mjetet e transportit të mallrave me ose pa ngarkesë
9. Tarifa për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë
10. Tarifa për pajisjen me licencë të lojërave të fatit
11. Tarifa në arsim./Gazeta Shqip


Më të lexuarat