Sipërmarrjet realizuan në tremujorin e tretë të vitit një rritje të ndjeshme të xhiros, çka krijon premisa për një përmirësim të rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, shifra e afarizmit të biznesit u rrit me 8.7% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo është rritja më e lartë e xhiros së biznesit në pesë tremujorët e fundit.
Instituti i Statistikave raportoi se shitjet e faturuara nga bizneset u rritën me 8.7 për qind në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, kjo është rritja më e madhe e shifrës së afarizmit në ekonomi për 5 tremujorët e fundit. Të dhënat e detajuara, tregojnë se zgjerimi i këtij treguesi është ndikuar kryesisht nga industria dhe ndërtimi, bizneset e të cilave gjatë kanë raportuar në tremuijorin e tretë të vitit shitje respektivisht 11 dhe 13.3 për qind më të larta se vjet. Në sektorin e energjisë elektrike dhe atë të shërbimeve shifra e afarizmit të ndërmarrjeve u rrit me 7.3 dhe 7.2 për qind, ndërsa me rënie 2.3 për qind është aktiviteti i ndërmarrjeve në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të ujit. Indeksi i shifrës së afarizimit shërben edhe si një sinjal paraprak mbi ecurinë e ekonomisë. Por a tregon rritja me 8.7 për qind e këtij treguesi një gjallërim në aktivitetin ekonomik të vendit, në tremujorin e tretë të viti? Kjo mbetet për t'u parë.
Brenda pak ditësh INSTAT pritet të publikojë shifrën e rritjes ekonomike për këtë tremujor, e cila në gjysmën e parë të vitit ka qenë zhgënjyese vetëm 0.44 për qind, larg objektivit minimal që pret qeveria dhe FMN prej 2 për qind. Dega e industrisë nxjerrëse vazhdon të shfaqë performancën më të lartë në sektorin prodhues dhe në tremujorin e tretë regjistroi rritje të xhiros me 17.2%. Më pak e pritshme ishte rritja e xhiros në sektorin e ndërtimit, që ndoshta lidhet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, por edhe me rikthimin e investimeve publike në infrastrukturë, pas paralizimit të plotë që ndodhi pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar.