Nis pagesa ne Rrugen e Kombit, 10 sportele ne dispozicion - Koncesionari: Situata e qete
Ditën e sotme ka nisur aplikimi i tarifës së vendosur nga qeveria për kalimin në Rrugën e Kombit.
Kompania koncesionare është shprehur se procesi ka nisur pa probleme. Janë 10 sportele ku do të kryhet pagesa, ndërkohë që vetëm për banorët e Kukësit janë vënë në funksion 2 sportele. Siç është bërë e ditur edhe më herët pagesa për banorët e zonës dhe ata që jetojnë në Kukës do të jetë 100 lekë të reja, ndërsa tarifimi do të mbetet 5 euro. Në vendimin zyrtar të qeverisë janë 3 kategori që përfitojnë nga skema lehtësuese për përdoruesit e rrugëve. Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar. Për të eliminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincesuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, përveç projekteve sociale që synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 viteve synohet realizimi i një sërë projektesh. Për kategorinë ‘Përdorues të shpeshtë’, pavarësisht nga klasa e automjetit, zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet. Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në Rrugën e Kombit lëvizin rreth 5.000 automjete. Përsa i përket zërave për një proteste kundër aplikimit të tarifës, Report Tv ka mësuar se ende nuk ka asnjë shenjë për organizim proteste në qytet apo në Rrugën e Kombit. Policia e Shtetit është vendosur në Rrugën e Kombit në afërsi të sporteleve ku do të kryhet pagesa për të siguruar që procesi i aplikimit të tarifës për ditën e parë do të kalojë pa probleme./Shqiptarja.com