Rreshqitja e dheut ne Tirane - Elbasan: Nisin sot punimet per rehabilitimin
Ka nisur sot puna për eleminimin e rrëshqitjes së ndodhur në segmentin që lidh tunelin e Kërrabës me Elbasanin.
Lajmi u njoftua nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro, i cili inspektoi sot nisjen e punimeve. Sipas kontratës së lidhur me kompaninë e cila do të kryejë punimet, ndërhyrja do të zgjasë për një periudhë prej 4 muajsh. “Sot fillojmë rehabilitimin e rrëshqitjes këtu në Mamel. Ka kaluar kohë derisa buxheti u bë efektiv dhe sa u kryen të gjitha procedurat nga përgatitja e projektit deri në lidhjen e kontratës. Kemi një kontratë të lidhur me kompaninë dhe ka filluar puna. Është një rrëshqitje e cila sjell goxha problematikë në trafik.
Në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të bëhet menaxhimi i trafikut, për një periudhë prej 4 muajsh, e mjaftueshme për të kryer gjithë këtë stabilizim të rrëshqitjes”, u shpreh drejtori i ARRSH-së Qendro. Në vlerësimin e tij, me rëndësi është që gjatë periudhës së ndërhyrjes të garantohet dhe siguria e kalimit të qytetarëve. “Një rëndësi të veçantë ka siguria e kalueshmërisë në këtë segment. Kemi marrë të gjitha masat me kompaninë që kalueshmëria të jetë e sigurtë. Siç e shikoni dhe ju po merren dhe masa shtesë.
Do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes Autoritetit Rrugor, Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Është një projekt me gjysëm tunel siç e kemi deklaruar dhe më përpara. Një projekt që I jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje duke stabilizuar dhe siguruar gjithë këtë skarpatë e cila ka hapur problem për një kohë shumë të gjatë”, nënvizoi Qendro./Ballkanweb