Secondary Adv

Futja e biznesit te vogel ne TVSH me bilanc negativ - Mbyllen 13 mije biznese

6 muaj pas futjes në skemën e TVSH-së, Shoqata e Biznesit të Vogël ka bërë një bilanc të efekteve që ka dhënë kjo reformë fiskale e qeverisë në këto biznese.

 

Albert Nasto, kryetar i shoqatës, thotë se ka pasur mbyllje masive të aktivitetit të biznesit: “13 000 biznese për 6-mujorin e parë është hata. Por, efektin e saj, TVSH-ja nuk e ka tani, do ta ketë në 3-mujorin e parë të vitit 2019”. Zoti Nasto shton se edhe arkëtimet nga TVSH-ja kanë rënë në Buxhetin e Shtetit, ndërkohë që çmimet janë rritur: “Në Buxhetin e Shtetit është futur 9% më pak sesa në vitin 2017. Kjo do të thotë që kjo reformë është e dështuar komplet. Çmimet janë rritur deri në 32%”. Tjetër element që nënvizon Shoqata e Biznesit të Vogël është rritja e evazionit fiskal, pasi subjektet nuk deklarojnë xhiron reale për shkak të taksave: “Po bëhet evazion si nga firmat e mëdha, që nuk çojnë kupon tatimor, ashtu edhe nga biznesi i vogël”. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri është 20% e çmimit final të shitjes së mallit apo shërbimit. Nga prilli i këtij viti, qeveria futi në skemën e TVSH-së bizneset me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Gjithsej janë përfshirë rreth 10 mijë biznese të reja që i nënshtrohen tashmë regjimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar./Top Channel


Më të lexuarat