Secondary Adv

Pensionet sociale, miratohen procedurat si do perfitohen

Të gjithë personat mbi 70 vjeç të cilët nuk kanë asnjë të ardhur nga data 1 janar e vitit 2015 do të përfitojnë pension social i cili është përcaktuar në masën e 6750 lekëve. Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave tashmë ka përcaktuar edhe kriterit dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë përfituesit e kësaj pagese.


Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pensioneve, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjithë personal mbi 70 vjeç do të marrin pension, edhe në rast se nuk i plotësojnë kushtet, ndryshe nga më parë, kur nuk e përfitonin një të tillë nëse nuk kishin paguar kontributet e nevojshme për pensione. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit kriteret e përfitimit dhe masën e pensionit social.

Sipas vendimit, për përfitimin e pensionit social duhet të zbatohen këto kritere:


a) Përfiton të drejtën për të kërkuar trajtimin financiar me pension social shtetasi shqiptar i cili ka plotësuar moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për pension dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social;
b) Masa mujore e pensionit të plotë social të jetë e barabartë me shumën e pensionit të pjesshëm të pleqërisë të datës 31.12.2014, përllogaritur për 15 vite vjetërsi pune të siguruara kundrejt pagës minimale, shtuar me kompensimet për rritjen e çmimeve dhe për pensionistët me të ardhura minimale, sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.474, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”;
c) Duke filluar nga data 1.1.2015, masa e pensionit të plotë social të jetë 6750 lekë në muaj. Pensioni social i përcaktuar të indeksohet çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të indeksit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve;
ç) Personat që kanë plotësuar moshën 70 vjeç, si dhe ata që janë rezidentë në Shqipëri në 5 vitet e fundit, kanë të drejtën e përfitimit të një pensioni social të pjesshëm, i cili është sa diferenca midis pensionit të social të plotë dhe të ardhurave mujore të deklaruara dhe të vlerësuara e të pranuara nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.

Për përfitimin e pensionit social, duhet të ndiqet kjo procedurë:


a) Shtetasi që plotëson kriteret për trajtimin financiar me pension social, paraqet kërkesën për përfitim dhe dokumentacionin e parashikuar, pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka vendbanimin;
b) Agjencia lokale e sigurimeve shoqërore shqyrton dokumentacionin e deklaruar, kërkon nga institucionet përgjegjëse konfirmimin e të dhënave dhe, pas konfirmimit, dërgon dosjen me dokumentacionin përkatës në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore;
c) Pensionet sociale caktohen dhe dërgohen për pagesë nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Vendimi i caktimit të pensionit social nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari i degës së përfitimeve, kryetari i degës se financës dhe drejtori i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore. Afatet e caktimit dhe të pagesës së pensionit social janë të njëjta dhe ndjekin të njëjtat rregulla si dhe për pensionet e pleqërisë;
ç) Dokumentacioni i përfitimit dhe vendimet e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore për caktimin dhe pagimin e pensionit social, auditohen çdo vit nga auditët e specializuar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Certifikimi i dosjeve të përfitimeve të caktuara për herë të parë si dhe të përfitimeve të rishqyrtuara, të kryhet i plotë për secilën dosje përfituesi.
d) Në rastet kur kërkuesit janë në kushtet e përfitimit, të përcaktuara në pikën 4, të kreut të parë, të këtij vendimi, masa e pensionit që i caktohet kërkuesit është diferenca midis pensionit social të plotë me të ardhurat që kërkuesi ka nga burimet e tjera. Vlerësimi i të ardhurave do të bëhet në të njëjtën mënyrë dhe bazuar në të njëjtin legjislacion që përdoret edhe për përcaktimin e masës së ndihmës ekonomike. Të ardhurat individuale të kërkuesit përllogariten në raport me pjesëtarët;
dh) Në rastet kur kërkuesi ka të ardhura individuale nga burime të tjera më të larta se masa e pensionit social e përcaktuar për vitin përkatës, pensioni social nuk caktohet. Dokumentet mbahen në dosjen e çelur për këtë qëllim, në të cilën bashkëlidhet edhe njoftimi zyrtar me arsyet dhe argumentet e moscaktimit të këtij përfitimi;
e) Vendimi për caktimin e masës së pensionit social dhe gjithë dokumentacioni në të cilin është bazuar llogaritja e pensionit, regjistrohen në regjistrin e posaçëm për pensionet sociale dhe arkivohen në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore.

Pagesa dhe ndërprerja e pensionit social


a) Pensioni social duhet të tërhiqet nga përfituesi çdo muaj.
b) Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se përfituesi nuk e tërheq atë nga qendrat e përcaktuara të pagesës, brenda fundit të muajit të kredituar për pagesë. Në këto raste, parashkruhet vetëm pagesa për muajin e patërhequr.
c) Pensioni social mbyllet kur konstatohet se, për përfitimin e tij, janë kryer veprime spekulative të dhurimit apo të pakësimit të kapitalit që ishte burim i të ardhurave.
ç) Kësti mujor i pensionit social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi kurohet në spital ose është i sëmurë nga sëmundje që nuk mundësojnë lëvizjen apo nuk është i aftë nga ana mendore, të vërtetuara këto me raport mjekësor.


Zyra e Tatim-Taksave, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Zyra e Regjistrimit të Automjeteve, zyrat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe organet e qeverisjes vendore janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore për informacion, lidhur me kërkuesit e pensionit social, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.


Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimi Social Shtetëror bashkëpunojnë për vlerësimin e gjendjes ekonomike të përfituesit të pensionit social. Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror janë të detyruara që, përveç verifikimeve të veçanta gjatë vitit, brenda muajit janar të viti përkatës të verifikojnë të ardhurat e përfituesit.


Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 372 milionë lekë dhe parashikohen brenda buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015.


Më të lexuarat