Ruani kuponin tatimor dhe behuni pjese e shorteut qe do te hidhet ne prill
Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve është duke planifikuar një lotari, e bazuar në kuponët nëpërmjet të cilës synohet nxitja e qytetarëve për të kërkuar kuponin e pagesave në kohën e blerjes. Hedhja e parë e shortit, sipas burimeve nga Ministria e Financave pritet të kryhet në prill të vitit 2015.
DPT është duke rishikuar sistemin e kasave fiskale për të mundësuar sigurimin e informacionit fiskal në kohë reale. Ky është një model që është përdorur dhe në Maqedoni e Serbi me synim uljen e evazionit fiskal. Lotaria vlerësohet se përmirëson disiplinën fiskale, teksa më shumë konsumatorë do t’u kërkojnë dyqaneve dhe shërbimeve faturat e mallrave për të cilët kanë paguar. Njerëzit do të ndihen më të motivuar të kërkojnë faturat fiskale nga shitësit. Në Maqedoni, psh, në lotarinë e nisur në mesin e vitit 2013, duke dërguar zarfin që përmban 20 fatura, njerëzit mund të fitonin një shtëpi, një apartament, makina, kompjuterë dhe shpërblime të tjera. Në Shqipëri mbetet ende të përcaktohet se si do të funksionojë lotaria, çfarë dhuratash do të jepen dhe nga do të sigurohet fondi (mendohet që një pjesë e të ardhurave nga TVSH të përdoret për këtë qëllim)/Monitor