Projekti i ardhshem i Bashkise se Tiranes: Lidhja e sheshit Skenderbej me Pazarin e Ri
Një vit nga transformimi i plotë i Pazarit të Ri, një hapësirë e re i është shtuar zonës, në ndihmë të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre aty.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff dhe bashkëdrejtues e përfaqësues të TID Tiranë, përuruan magazinat që do të shërbejnë për të lehtësuar grumbullimin e mallrave.“Një nga punët më të mira që kemi bërë së bashku me AADF, që sot është stoli për qytetin tonë, është Pazari i Ri. Më vjen mirë që këtu punojnë mbi 1000 vetë. Fakti që në mëngjes Pazari është plot, tregon se është aq tërheqës saqë i tundon njerëzit të vijnë dhe të kalojnë pak kohë këtu”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se falë investimit të ri, jo vetëm tregtarët do të kenë mundësi magazinimi, por edhe zona mund ta ruajë origjinalitetin si hapësirë pedonale.
“Ka qenë gjithmonë dilemë mënyra si bëhet puna logjistike në pazar, me furnizimet në mëngjes, marrja e mallit pasdite. Ndaj, kemi hapur një hapësirë të jashtëzakonshme për magazinimin e mallit; kështu ruajmë origjinalitetin e një zone pedonale pa makina, pa motorë, për t’i vendosur këtu mallrat që nuk shiten, të cilat mund të tregtohen të nesërmen, dhe për të eliminuar në maksimum edhe hyrje-daljet e furnizimit. Ndaj, besoj që secili që ka një tezgë apo kryen një shërbim, do të ketë mundësi me një kosto shumë modeste të marrë edhe një hapësirë magazinimi”, u shpreh ai. Por, transformimi i kësaj zone nuk ka përfunduar ende. Bashkia e Tiranës bashkë me partnerët e saj është duke shqyrtuar mundësinë për lidhjen e sheshit “Skënderbej” me Pazarin e Ri. “Po shikojmë se si mund të lidhim dy hapësira të shkëlqyera, si sheshi ‘Skënderbej’ dhe Pazari i Ri. Kemi një segment në mes të kolonave. Me gjasë, do të arrijmë në një marrëveshje të suksesshme, ku së bashku të krijojmë një ‘urë’ lidhëse, që zonat atraktive të Tiranës, si sheshi dhe Pazari, të lidhen me njëra-tjetrën, me të njëjtën cilësi siç janë këto dy pjesë të Tiranës”, nënvizoi Veliaj. Pazari i Ri i rivitalizuar rinisi punën në mars të vitit 2017. Aktualisht në ambientet e tij ushtrojnë aktivitetin rreth 300 biznese./Shqip