Shqiperia kryeson rajonin - BB: Rritjen me te larte ekonomike per vitin 2018
Rritja e lartë në gjysmën e parë të vitit ka përmirësuar pritshmëritë e Bankës Botërore rreth ekonomisë shqiptare për këtë vit.
Sipas raportit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, së bashku me Kosovën, priten të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin 2018, me 4%. Në analizën e Bankës Botërore, rritja ekonomike është shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxiti pjesëmarrjen në forcën e punës. Megjithatë, edhe raporti nënvizon se gjysma e rritjes ekonomike erdhi nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike. Rënia e kontributit të këtij sektori, por edhe mbyllja e projektit TAP, do të kenë ndikime në ritmet e rritjes ekonomike për vitet në vijim. Në fakt, Banka Botërore ngelet e qëndrimit se rritja e ekonomisë shqiptare do të bjerë në afatin e mesëm, deri në 3.5% në vitin 2020. Për të siguruar një rritje të lartë afatgjatë, Banka Botërore vendosi edhe njëherë theksin te reformat afatgjata që rrisin kapitalin njerëzor dhe fizik, reduktojnë barrierat e pjesëmarrjes në forcën e punës dhe promovojnë konkurrencën në treg. Në raport nënvizohet edhe njëherë se qëndrueshmëria fiskale është parakusht për rritjen ekonomike dhe kërkon mbajtjen e fokusit tek konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik. Në kontekstin e menaxhimit buxhetor, Banka Botërore kërkoi sërish përmirësim të cilësisë së shpenzimeve publike, si edhe përmirësimi e kuadrit rregullues të koncesioneve dhe partneritetit publik-privat./Scan