Secondary Adv

Zbardhet paketa e re fiskale, ja cilat jane taksat qe ulen prej 1 Janarit

Paketa e re fiskale që do hyjë në fuqi më 1 Janar të vitit 2019 parashikon ulje të disa prej taksave.  

 

Qeveria ka menduar të lehtësojë taksat korporative, tatimi mbi dividetin ulen nga 15 ne 8 përqind. Është menduar edhe ulja e tatimi mbi pagat mbi 130 mijë lekë në muaj. Sipas qeverisë, synimi është lehtësimi i klasës së menaxhereve për të lehtësuar ekonominë. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm aksionerët e bizneseve të mëdha nuk do të paguajnë më 15 për qind tatim mbi dividentin kur shpërndajnë fitimet, por vetëm 8 për qind. Ministri i Financave shpjegoi se pse qeveria po lehtëson taksat e korporatave. “Sepse kështu e ulim në të njëjtat nivele me rajonin barrën fiskale për biznesin e madh”, u shpreh Ahmetaj. Ndryshimi i dytë më i rëndësishëm që sjell paketa e re fiskale, është ulja e taksave për punonjësit me paga mbi 130 mijë lekë në muaj. 

 

Më konkretisht për një të punësuar me pagë 140 mijë, tatimi mbi të ardhurat ulet nga 15 mijë e 300 lekë në muaj që është sot, në 14 mijë e 300 lekë. Pra kjo kategori përfiton ulje takse 1 mijë lekë në muaj ose rreth 100 euro në vit. Ndërsa për të punësuarit me pagë nga 150 mijë lekë në muaj e sipër taksa ulet me 2 mijë lekë në muaj ose rreth 200 euro në vit. “Synimi është që të lehtësojmë klasën e menaxherëve për të ndihmuar ekonominë. Kjo ka qenë porosi e kryeministrit”, tha Arben Ahmetaj. Përveç dividentit dhe taksës së rrogave paketa e re fiskale rrit taksat për eksportin e kromit bruto, një masë që favorizon përpunimin e kromit në vend dhe ul TVSH-në për importin e autobusëve elektrikë. Sipas Ministrit të financave, ulja e taksave pasqyron ecurinë pozitive të ekonomisë. “Banka Botërore dje konfirmoi se Shqipëria është vendi me rritjen më të lartë në rajon”, u shpreh Ahmetaj. Paralelisht buxheti parashikon paketën e bonusit të bebeve si dhe rritje të rrogave, por vetëm për disa kategori të nëpunësve publike. Masa e rritjes do të lajmërohet nga vetë kryeministri gjatë ditëve në vijim./Shqip


Më të lexuarat