Eksportet shqiptare do te kene certifikata te reja sigurie
Duke filluar nga 1 janar i 2015 -ës, Shqipëria do të përdorë një model të ri të çertifikatave të origjinës për prodhimet shqiptare që eksportohen në tregjet e huaja.
Burime nga ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se, modeli ri përmban më shumë elementë sigurie, për prodhimet “Made in Albania”. Ky hap nga ana e autoriteteve shqiptare u ndërmor menjëherë pas embargos që Rusia vuri për eksportet bujqësore shqiptare. Edhe pse shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Rusisë janë në nivele të papërfillshme, pas embargos që Kremlini vendosi ndaj vendeve të BE-së, eksportet bujqësore janë rritur me ritme të shpejta. Bllokimi në fillim të këtij muaji, dëmtoi jo pak eksportuesit e këtyre produkteve, pasi veçanërisht në dy muajt e fundit, Rusia ishte shndërruar në një nga destinacionet kryesore të frutave dhe perimeve që Shqipëria shet jashtë.
Rusia gati të heqë embargon ndaj Shqipërisë Autoritetet shqiptare kanë dërguar në Rusi informacion mbi kapacitetin prodhues të fermave shqiptare Shqipëria synon të eksportojë veç fruta-perimeve, edhe produktet e mishit drejt tregjeve ruse. Rusia mund të heqë embargon tregtare ndaj Shqipërisë dhe të rihapë tregjet e saj për eksportet e kompanive shqiptare. Lajmi bëhet nga Autoriteti Fitosanitar i Rusisë dhe konfirmohet edhe nga Ministria Shqiptare e Bujqësisë. Vendimi vjen pas, një sërë takimesh të nivelit të lartë që janë zhvilluar mes zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Rus. Qeveria ruse i bllokoi eksportet nga Shqipëria rreth 3 javë më parë pas, zbulimit të disa rasteve mashtrimi me certifikatat e origjinës, kur produkte nga vende të tjera eksportoheshin si shqiptare. Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se qeveria ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar më falsifikimin e certifikatave të origjinës dhe duket se kjo ka bindur edhe palën ruse.