Nis faza e dyte e punimeve ne Vore-Rinas-Fushe Kruje, ja si devijohet trafiku
Nisin punimet për rikonstruksionin e segmentit Vorë – Kthesa e Rinasit - Fushë Krujë, faza dytë e ndërhyrjes për kryerjen e punimeve rehabilituese.
Ky segment rrugor do të jetë i bllokuar për të gjitha mjetet gjatë periudhës së kryerjes së punimeve. Sipas njoftimit të ARRSH, automjetet e vogla rezident të zonës mund të vazhdojnë të përdorin segmentin rrugor nga kthesa e Rinasit deri në Fushë Krujë. Mjetet e transportit të mallrave/kamionët që udhëtojnë nga Shkodra, Lezha në segmentin Milot - Fushë Krujë në drejtim të Tiranës dhe Durrësit duhet të ndjekin drejtimin e Kamzës dhe të vazhdojnë udhetimin nëpërmjet Autostradës. Siç edhe është njoftuar më parë, Dogana e Tiranës është e aksesueshme nga ana e Vorës. Mjetet mund të aksesojnë Doganën vetëm nëpërmjet segmentit rrugor Vorë- Dogana e Tiranës për të kryer shërbimet Doganore dhe të kthehen përsëri në drejtim të Vorës. Rruga është e hapur gjithashtu për të gjitha automjetet që duan të kryejnë shërbimet e Kontrollit Periodik në qendrën SGS vetëm nëpermjet drejtimit të Fushë Krujës. Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut./Shqiptarja.com