Secondary Adv

Nis turi i degjesave per buxhetin: Veliaj premton transformimin e zones se 9-katesheve

Ka nisur nga Njësia 8 rrugëtimi i dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilanci i punës së realizuar në këto 3 vjet. 

 

Duke filluar pikërisht nga Pazari i Ri, si simbol i transformimit që ka pësuar kryeqyteti, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në tre vite Tirana ka bërë më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër në rajon. Ai theksoi se vetëm në Njësinë 8 Bashkia e Tiranës ka investuar më shumë nga sa kishte premtuar në 2015. “Nuk premtuam tram, por ato që premtuam i bëmë. Siç e patë, ju keni nxjerrë nga njësia edhe Kryetar Bashkie, edhe nën/Kryetare Bashkie që premtuan tramin, premtuan se do investoheshin 1.1 miliardë në këtë njësi, por investuan më pak se 1/5 e asaj që premtuan. Ne thamë do investojmë 960 milionë, kemi investuar 970 milionë. Është më mirë t’i qëndrosh fjalës tënde, se sa të premtosh majat dhe ndërkohë mos të bësh as 1/5. Kjo është arsyeja pse ndihem shumë mirë sepse kemi bërë një plan si familje nikoqire. Edhe pse i kemi taksat e kryeqytetit më të ulëtat se çdo kryeqytet në rajon, kemi arritur në tre vjet të bëjmë më shumë investime dhe më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër i rajonit tonë”, tha Veliaj.

 

Një nga projektet më transformuese dhe që pritet të japë një impakt tepër pozitiv në ekonominë e qytetit është edhe projekti i përbashkët i Bashkisë së Tiranës, me Fondin Shqiptaro-Amerikan për rehabilitimin e zonës së 9-katësheve. Veliaj sqaroi se sheshi “Skënderbej” do të lidhet me “Pazarin e ri”, në një zonë që do të jetë hapësirë biznesi, duke gjeneruar edhe mjaft vende të reja pune. “Kemi marrë një vendim që të mos i lëmë Pazarin e Ri dhe sheshin “Skënderbej” si dy ishuj veç e veç, me kolonat në mes, por kemi përgatitur një investim së bashku me miqtë tanë të Fondit Shqiptaro-Amerikan, për të riparuar të gjithë pjesën e 9-katësheve, kolonave, që sheshi “Skënderbej” të lidhet natyrshëm, me të njëjtin cilësi punimesh, përmes dy pjesëve të kolonave, me Pazarin e Ri, duke e kthyer në një rrugë të madhe shopingu. Me lirimin e shumë pikave të kazinove dhe basteve, do të ketë më shumë hapësirë për biznese të mirëfillta, që gjenerojnë vende pune”, shtoi kryebashkiaku. Një tjetër investim i rëndësishëm që ka prekur Njësinë Nr. 8 në kryeqytet është dhe rehabilitimi i zonës së Bregut të Lumit, ku si rezultat i investimit për herë të parë nuk ka pasur përmbytje. 

 

Duam të vazhdojmë investime te Bregu i Lumit”, tha ai, ndërsa siguroi vijimin e investimit për ndërtimin e Bulevardit të Ri, ku po projektohet Tirana e së ardhmes. Duke u ndalur tek institucionet arsimore në Njësinë 8 në kryeqytet, Veliaj tha se krahas mirëmbajtjes së çerdheve dhe kopshteve, shumë shpejt do të nisë puna për rikonstruksionin e shkollës së fëmijëve që nuk shikojnë, si dhe të gjimnazit Partizani. “Në Njësinë 8 kemi ndërhyrë në 7 shkolla, nga këto 3 kanë qenë rikonstruksione totale; kemi ndërhyrë në 3 kopshte dhe 3 çerdhe, kemi rikualifikuar 3 hapësira publike, kemi vendosur një rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi në rrugë, akse kryesore të Njësisë 8, kemi investuar në një bibliotekë dhe sigurisht në një treg që është tregu më i bukur në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan, Pazari i Ri.  Ndërkohë, jemi në proces realizimi për ndërtimin e një shkolle të re, rehabilitimin tërësor të një blloku banimi, korsitë e reja të biçikletave. Rruga “Qemal Stafa”, do të përfshihet nga aksioni për rivitalizimin e kësaj zone, që është realisht zemra e Tiranës, ndërkohë që kemi projektimin dhe rikonstruksionin e 4 rrugëve të Njësisë Administrative 8”, deklaroi Veliaj./Shqip


Më të lexuarat