Secondary Adv

Kompensimi i pronave, nis regjistrimi i te shpronesuarve

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave hap sot sportelet për personat të duhet të aplikojnë për kompensimin financiar për tokën truall të shpronësuar për interes të investimeve publike nga qeveria. Afati i fundit i dorëzimit të këtyre dokumenteve është data 5 shkurt 2015.


Nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të AKKP-së, drejtoresha e Përgjithshme, Sonila Qato, njoftoi se procesi i aplikimit do të zgjasë një muaj, ndërkohë që brenda 90 ditëve agjencia do të kryejë verifikimet përkatëse, ndërsa emrat e fituesve do të publikohen pas një procesi transparent. “Me miratimin nga qeveria të VKM-së për shpërndarjen e fondit për kompensimin në të holla për subjektet e shpronësuara arrin në vlerën 300 milionë lekë.
AKKP-ja në zbatim të kësaj VKM ka kryer të gjitha procedurat paraprake për nisjen e praktikave për regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Qytetarët duhet të depozitojnë kërkesën për kompensim financiar të shoqëruar me një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave i cili duhet të jetë përfundimtar dhe i ekzekutueshëm, bashkangjitur me të edhe një hartë të miratuar, plani i pronës, një dëshmi trashëgimie, prokurë e posaçme, si edhe një vërtetim nga banka për një numër llogarie.


Vendimi i qeverisë është hapur për kompensimin e pronarëve që kanë në duart e tyre një vendim kompensimi të zërit kadastral truall. Është shumë e rëndësishme të bëjmë me dije të gjithë subjektet e interesuara se do të pranohen në sportelet tona vetëm vendimet e kompensimit për zërin kadastral truall dhe jo për zëra të tjerë kadastralë. AKKP ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Të gjithë subjektet e interesuara duhet të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga e hëna në të premte, për të tërhequr numrin e aplikimit nga ora 08.30 – 09.30, pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Procesi i pranimit të kërkesave do të fillojë në orën 10.00 dhe do të vazhdojë deri në përfundim të numrit të fundit me të cilin është pajisur subjekti kërkues.
Përfituesit


Bazuar në kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2014, të miratuar me VKM nr. 889, datë 17.12.2014, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuar që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës tokë truall, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet.


Nga fondi i vitit 2014 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuar, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë. Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës miratuar me VKM. nr. 514 datë 30.07.2014 "Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë" sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është 200 m² e sipërfaqes truall të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës të miratuar me VKM- në e mësipërme. Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej dy mijë lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet. Sipas praktikës që pritet të nisë, subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë zyrave rajonale të AKKP-së dokumentacionin e nevojshëm.


Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë. AKKP-ja, paralajmëroi të gjithë aplikantët të mos paraqesin dokumente të rreme, apo të fshehin dokumente të nevojshme, pasi sipas saj ata do të përjashtohen nga procedura e mëtejshme si dhe do të denoncohen penalisht në organet e prokurorisë deh të policisë. Më tej në njoftimin e AKKP-së, thuhet se “Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2014.


Dokumentet që kërkohen
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM-së, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve e kërkuesve do t'u ofrohet ndihmë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim. Plani i rilevimit duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;
d) Dëshminë e trashëgimisë
e) Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;
g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;
h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë.
 - Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:
 a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave. (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t'u ofrohet këshilla nga punonjësit e AKKP- së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011,2012 dhe 2013 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar./Shekulli


Më të lexuarat