
Bashkia e Tiranes projekte transformuese per Kombinatin dhe zonen e Astirit
Kombinati do të jetë një nga poliqendrat e reja të Tiranës, kurse zona e Astirit do të funksionojë si lagje më vete, me shërbime dhe infrastrukturë më të mirë për banorët.
Duke folur nga shkolla e re “Betim Muço”, si simbol i transformimit që ka pësuar zona e Kombinatit, Veliaj tha se në 3 vite Tirana ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Në fjalën e tij me banorët e Kombinatit, Veliaj shprehu keqardhjen për opozitën, e cila nuk merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, duke dashur të bllokojë edhe projektet me impakt të drejtpërdrejtë në komuntet. “Kemi një opozitë, të cilën nuk e mbaj mend kur ka ardhur për herë të fundit në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, kurse për socialistët nuk mbaj mend të kenë munguar ndonjëherë. Opozita nuk vjen as kur votohet ndihma ekonomike, as kur votohet pagesa për personat me aftësi të kufizuar, as kur votohet çeku i bebes, as kur bëjmë shpronësime për varrezat në Sharrë, as kur kalon rruga e Kombinatit, as kur financohet blloku në “Misto Mame”, e as kur u votua për ndërtimin e shkollës së re “Betim Muço”, tha Veliaj.
Ndaj, kreu i bashkisë kërkoi mbështetjen maksimale të banorëve në zgjedhjet e ardhshme, për të siguruar numrat e nevojshëm edhe në Këshill, si një garanci për të ruajtur ritmin e punës në kryeqytet. Mandej, kryebashkiaku renditi disa nga investimet e suksesshme të realizuara në Kombinat, zonë e cila ka problematika të mbartura prej 30 vitesh. Në këto tre vite, bashkia ka rehabilituar varrezat e Sharrës dhe rrugën lidhëse “Lek Zaharia”, si dhe kanalin që shkaktonte përmbytje në zonën e Rr. “Vangjel Ceco”, rikonstruksionin e bllokut që kufizohet me rrugët “Konferenca e Pezes” – “3 Dëshmorët” – “Ali Jegeni”, rikualifikimin e bllokut të kufizuar nga Rr. “Llambi Bonata”, Rr. “Haki Stermilli” “Musine Kokalari” dhe rikonstruksionin e Rr. “Zyber Zeneli”, vazhdim i rrugës “Ali Kelmendi”. Gjithashtu, është ndërhyrë edhe në 42 rrugë të tjera ose 6 herë më shumë se në kohën e administratës së mëparshme.
Veliaj dha lajmin e mirë për nisjen e punës për rikualifikimin urban të zonës së “Qytetit të Nxënësve”, që kufizohet nga Rr. “Sabaudin Gabrani”, Rr. “Vasfi Samini”, ndërkohë që do të kryhet edhe rehabilitimi i sheshit “Garibaldi” në qendër të Kombinatit. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës po rindërton edhe mbikalimin e aksit në Kombinat. Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se falë investimit të ri do të marrë fund edhe problematika e furnizimit me ujë të pijshëm e Kasharit dhe e Unazës së re, e cila do të ketë një linjë të dedikuar. “Një nga punët më të mira që është bërë, ka qenë puna e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës: kemi pasur një zonë me problematika jetike, sot ende ka probleme, por prapë është bërë mjaftueshëm punë, dhe me projektin e ri që sjell ujë direkt nga Bovilla në zonën e Astirit dhe të Unazës së Re, do të jetë një investim që zgjidh një herë e mirë problemin, që uji i Kombinatit të mos ndahet me zonën e Astirit”, u shpreh Veliaj. Ai sqaroi se po punohet edhe për impiantin e ujërave të zeza në Kashar.
Në këtë zonë do të ndërtohet tregu i fruta-perimeve në Rr. “Fabrika e Qelqit”, do të nisë edhe rehabilitimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga Rr. “Fabrika e Qelqit”, “Konferenca e Pezes”, “Besim Alla” dhe “Jorgo Panajoti”. Duke u ndalur në investimet për sistemin e edukimit dhe arsimimit në Njësinë 6, Veliaj tha se janë rikonstruktuar 3 Kopshte, 1 çerdhe, 1 shkollë dhe është ndërtuar një çerdhe dhe një shkollë e re. Një investim i bashkisë është edhe rehabilitimi i varrezave të Sharrës, ku krahas projektit të varrezave murale, shumë shpejt do të nisë sistemimi dhe shtimi i parcelave.“Sot Sharra është si dita me natën. Njerëzit trajtohen me respekt, përcillen me dinjitet nga kjo botë, ka një transformim total. Për herë të parë filluam me ambasadën italiane të ndërtonim varrezat murale, ndërkohë kemi planifikuar që përveç varrezave murale, të bëjmë një tjetër sistemim për shtimin e parcelave në Sharrë”, deklaroi Veliaj./Shqip
Më të lexuarat









